Serwer: Autoritetet aktuale të Kosovës nuk pëlqehen nga Brukseli dhe nga Uashingtoni

Uashington, 15 gusht 2023 – Profesori nga Johns Hopkins University, Daniel Serwer, e ka vlerësuar kërkesën e grupit të ligjvënësve amerikanë dhe evropianë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë një qasje më të balancuar ndaj palëve në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Sikurse shumë politikanë të huaj, Serwer mendon se Serbia është duke u trajtuar në mënyrë të butë nga komuniteti ndërkombëtar. Ai thotë se gjatë vitit të fundit procesi i dialogut ka qenë “krejtësisht i çekuilibruar”, prandaj e përkrah kërkesën e ligjvënësve për pozicion më të balancuar.

“Gjatë vitit të fundit procesi i dialogut nuk ka qenë i ekuilibruar, prandaj më vjen mirë që parlamentarët amerikanë dhe evropianë kanë ngritur shqetësimet e tyre lidhur me këtë çështje. Po ndodh një marrëzi, duke i bërë presion Prishtinës dhe, në anën tjetër, duke toleruar veprimet e Beogradit, ku pati sulme ndaj policisë së Kosovës dhe paqeruajtësve të KFOR-it, si dhe u bojkotuan e zgjedhjet në veri. Të mos e harrojmë edhe faktin që Serbia i mobilizoi në nivelin më të lartë forcat ushtarake”, thotë Serwer, për Tëvë1.

Sipas tij, autoritetet aktuale të Kosovës nuk pëlqehen në Bruksel dhe në Uashington, prandaj kanë një qasje më të egër ndaj Prishtinës.

“As Brukseli dhe as Uashingtoni nuk e kanë fshehur neverinë tyre për autoritetet aktuale në Kosovë. Është e pashpjegueshme se si mund të shqetësohen më shumë se në cilat ndërtesa punojnë kryetarët e komunave se sa për sulmet ndaj policisë dhe KFOR-it, paqeruajtësve të NATO-s”, shprehet ai.

Serwer parashikon që Lista Serbe, e cila mbështetet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të vazhdojë të ruajë kontrollin në jetën politike të serbëve në pjesën veriore të Kosovës. Ai thekson se ky duhet të jetë shqetësimi për Brukselin dhe për Uashingtonin.

“Vuçiq ka dhënë shenja se do të veprojë në të njëjtën formë në veriun e Kosovës. Kjo është ajo për çka duhet të shqetësohen Brukseli dhe Uashingtoni. Ai po e luan lojën e Rusisë, jo të Perëndimit”, thotë Serwer

(r.m.)