Serwer: Lëshimi pe përballë huliganëve do të kishte pasoja katastrofike për Kosovën

Me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, autoriteti që tani qëndron prapa barrikadave do të shndërrohej në qeverinë që do ta drejtonte institucionin që do të njihej dhe pranohej nga shteti i Kosovës, thotë profesori amerikan Daniel Server.

Në një rubrikë të re kushtuar tensioneve në veri të Kosovës, Daniel Server, profesori i shquar amerikan nga Universiteti Johns Hopkins dhe ekspert i zhvillimeve në Ballkan, paralajmëroi se çdo lëshim pe i autoriteteve të Prishtinës do të kishte pasoja katastrofike për këtë vend dhe u bëri thirrje politikanëve amerikanë të rishqyrtojnë politikat e tyre në Ballkanin Perëndimor.

Duke folur për tensionet në veri të Kosovës, Serwer vuri në dukje se “huliganët serbë po i bllokojnë rrugët, po i sulmojnë gazetarët, po qëllojnë ndaj policisë dhe pjesëtarëve të KFOR-it”, por edhe se ata “nuk janë banditë të rastit”, por banditë që “paguhen dhe kontrollohen nga Beogradi”.

“Çfarëdo qofshin arsyetimet fillestare për sjellje të tillë, efekti përfundimtar është minimi i dialogut me Prishtinën dhe parandalimi i shqyrtimit serioz të propozimit ende të papublikuar dhe ende të paqartë të propozimit franko-gjerman për “normalizim” të përkohshëm”, shkruan Serwer.

Gabimet e SHBA-së dhe BE-së

Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për çka angazhohet Beogradi, eksperti amerikan thotë se “veprimet aktuale (të serbëve) heqin çdo dyshim se lëshimi pe lidhur me këtë çështje në kushtet aktuale do të ishte katastrofike për shtetin e Kosovës”.

“Autoriteti që tani qëndron prapa barrikadave atëherë do të shnërrohej në pushtetin që do ta drejtonte institucionin që do të njihej e pranohej nga shteti i Kosovës. Do të ishte më shumë se marrëzi të lejohej kjo, jo vetëm sepse këto autoritete janë kriminale dhe të lidhura me shërbimet sekrete serbe”, shtoi ai.

Serwer thekson se për situatën aktuale duhet të “turpërohen të gjithë diplomatët amerikanë dhe evropianë që e kanë mbështetur formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, dhe se “kryesorët midis tyre” janë Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, dhe shefi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

“Ata menduan se me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të zbutej qëndrimi i Beogradit. Kjo do të ishte marrëzi. Në vend të kësaj, ata fituan përpjekjet e (presidentit serb, Aleksandar) Vuçiqit për destabilizim. Ata morën nga Beogradi edhe një sërë “cicërimash” fyese për gjermanët dhe evropianët tjerë. Kjo përfshin edhe nxitjen e vendosjes së trupave serbe në Kosovë dhe bërjen të qartë se tash për tash Beogradi nuk është i interesuar të realizojë ambicien e tij të deklaruar për anëtarësim në BE” u shpreh Serwer.

Ai mendon se heqja me dhunë e barrikadave, që do të bëhej nga KFOR-i dhe nga Policia e Kosovës, mund të shkaktojë trazira.

“Kokat e nxehta në Kosovë duan që KFOR-i t’i heqë barrikadat, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Kjo  mund të bëjë trazira të mëdha dhe të vë në siklet palët e përfshira, në qoftë se nuk përgatitet dhe ekzekutohet me kujdes. Është shumë më mirë të negociohet për uljen e tensioneve. Vetëm në qoftë se këto negociata dështojnë, duhet të përdoret forca, dhe kjo në mënyrë të vendosur dhe efektive. Udhëheqësit e trazirave duhet të arrestohen dhe të gjykohen në Kosovë ose të deportohen në Serbi, me kusht që Beogradi të jape garanci se do t’i ndjekë penalisht”, thekson Serwer.

Vuçiqi po e zbaton në Kosovë strategjinë e Putinit të vitit 2014 në Donbas

“Përveç kësaj, Evropa dhe SHBA-ja duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë se nxitja e trazirave në Kosovë ka pasoja”, theksoi Serwer, duke e cituar analistin booshnjak Jasmin Mujanoviq.

‘Konkretisht, pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën duhet të shohin se si po ia lehtësojnë punën Serbisë. Njohja e plotë e sovranitetit të Kosovës dhe fillimi i procesit të pranimit të saj në BE dhe në NATO është diçka që Perëndimi mund ta bëjë që sot, pa kërkuar asnjë kontribut nga Beogradi, nga Moska apo nga Pekini”.

“Kjo ka kuptim. Madje edhe sikur të vepronin siç sugjeron Jasmin vetëm një apo dy nga vendet që nuk e njohin Kosovën, kjo do të bënte një ndryshim të madh sa i përket kokëfortësisë së Beogradit. Në një mënyrë apo në një tjetër, Perëndimi duhet të tregojë se destabilizimi nuk është në interes të Serbisë dhe se kjo nuk guxon të përsëritet kurrë më”, shtoi Serwer.

Ai theksoi se Vuçiq po e zbaton në Kosovë strategjinë e presidentit rus Vladimir Putin të vitit 2014 në Donbas.

“Nuk bën të lejohet që agresioni përmes destabilizimit të shpërblehet, kudo qoftë”, theksoi Daniel Serwer.

(Aljazeera Balkans)