Serwer: “Në veri të Kosovës ka një agresor. Duhet ta kemi të qartë kush është ai”

Prishtinë, 12 mars 2024Agjencitë amerikane të inteligjencës, në një raport të publikuar të hënën, kanë paralajmëruar se mund të ketë një kërcënim në Ballkanin Perëndimor – pra rajoni mund të jetë epiendër e dhunës ndëretnike.

Raporti u referohet ngjarjeve të fundit, si sulmit të armatosur në Banjskë ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, dhe tensioneve të muajit maj 2023 në pjesën veriore të Kosovës, ku qenë plagosur dhjetëra ushtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, gjat٥ sulmeve të protestuesve serbë.

“Ballkani Perëndimor – ndoshta – do të përballet me një rrezik të shtuar të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024 […] Përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare kanë çuar në vdekje dhe plagosje, duke përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s në vitin 2023”, thuhet në raport, duke veçuar përpjekjet e Rusisë për t’i shtuar tensionet.

“Liderët nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionin për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të madh të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) ose në institucionet euroatlantike”, alarmon tutje raporti.

Eksperti amerikan, Daniel Serwer, e ka komentuar raportin, i cili është shpërndarë në platformëm “X” nga analisti i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re, Jakub Bielamowicz.

Serwer thotë se të gjithë e dinë se nga kush mund të vijë ky kërcënim, duke përmendur sulmet e vazhdueshme të serbëve lokalë në veri, si dhe sulmin terrorist në Bansjkë.

“Kjo është e gabuar. Një incident ishte një sulm i serbëve ndaj trupave të NATO-s. Në një incident të veçantë, Policia e Kosovës e ndaloi me sukses një komplot serb që synonte të krijonte pretekst për ndëthyrje të ushtrisë serbe në Kosovë. Në veri të Kosovës ka një agresor. Duhet ta kemi të qartë kush (është ai)”, shkroi Serwer.

Profesori i Universitetit të Grazit, Florian Bieber, i cili është ekspert për Ballkanin, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk është i interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme me Kosovën, pasi preferon konflikt të hapur.

Në një intervistë për Telegrafin, Bieber ka thënë se në Serbi duhet të krijohet një qeveri e re pa Vuçiqin në krye dhe një nxitje e fortë ndërkombëtare në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës e Serbisë.

Eksperti austriak ka theksuar se Serbia është bërë më armiqësore ndaj Kosovës dhe Perëndimit që kur ka ardhur në pushtet Vuçiqi dhe ka shtuar se mediat e kontrolluasra prej tij (Vuçiqit) përhapin çdo ditë lajme dhe propaganda anti-perëndimore dhe anti-kosovare.

I pyetur nëse Kosova rrezikohet nga një sulm i ngjashëm më atë të Banjskës, Bieber ka thënë se mund të ndodhë të ketë kërcënime të serbëve në kufi, por edhe incidente më të mëdha, për të “testuar” shkallën e vendosmërisë së NATO-s për ta mbrojtur Kosovën.

Edhe James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit, e konsideron Ballkanin si një terren ku ka rrezik të shpërthejë dhuna ndëretnike.

“Arena politiko-ushtarake evropiane, pjesë e së cilës janë Kosova dhe Serbia, po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, ndërsa lufta në Ukrainë po vazhdon dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA po afrohen. Kjo është arsyeja pse Kurti duhet të vendosë se si të injektojë një nevojë më të madhe urgjence në procesin diplomatik. Nëse Rusia nuk detyrohet të humbasë në Ukrainë, Moska do të hedhë një hije më të madhe në Ballkan dhe me gjasë do ta trajtojë Kosovën dhe shtetet e tjera afër si fruta të vogla që mund t’i korrë me rrezik minimal, duke përfshirë heqjen e llogarive me Serbinë për ndihmën e saj për Ukrainën. Kështu, siç e kam theksuar, koha është kritike për ruajtjen e interesave të Kosovës. Kurti duhet të marrë drejtimin në kërkimin e riformësimit të Dialogut dhe qasjes së përgjithshme të SHBA-së dhe BE-së ndaj diplomacisë ballkanike, e cila do të kërkojë më shumë vetëdisiplinë dhe imagjinatë se sa ai ka demonstruar ende”, ka thënë Hooper për Telegrafin.

(Telegrafi)