Sacramento (California), 20 qershor 2025 – Irani nuk po planifikonte të prodhonte bombë bërthamore, por ofensiva e Izraelit ka gjasa t’i shtyjë liderët ta zhvillojnë atë, ka thënë ish-negociatori iranian në bisedimet me fuqitë botërore për programin bërthamor të Iranit, Seyed Hossein Mousavian, raportoi CNN.
Mousavian ka thënë se Irani ka qenë transparent për programin e tij bërthamor dhe i hapur për inspektim nga mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara. Ai ka shtuar se tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja bërthamore me Iranin në vitin 2015 e ka forcuar idenë se “SHBA-ja dhe Izraeli do të sulmonin për ta rrëzuar regjimin” në Iran.
“E dini çka po u tregon iranianëve kjo narrativë? Edhe pse ka transparencë, edhe nëse zgjidhen të gjitha paqartësitë bërthamore, SHBA-ja dhe Izraeli do të sulmonin për ta rrëzuar regjimin. ‘Prandaj, iranianë, juve ju duhet mbrojtje bërthamore, që është bomba bërthamore’. Mendoj se praktikisht kjo është ajo çfarë po u thonë amerikanët dhe izraelitët iranianëve: ‘bëjeni bombën si parandalimin më të mirë’. Besoj se nëse kjo politikë vazhdon, Irani do ta zhvillojë bombën bërthamore”, ka thënë ai.
Mousavian ka shprehur bindjen se lufta nuk do të ishte efektive në ndalimin e programit bërthamor të Iranit.
“Më e mira është të shkohet sërish në diplomaci, në vend të luftës”, ka theksuar ai.
Ish-negociatori iranian në bisedimet me fuqitë botërore për programin bërthamor të Iranit i ka shprehur këtë pikëpamje edhe në një letër publike drejtuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Në letër ai e ka paralajmëruar se përfshirja e Shteteve të Bashkuara në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit mund të ketë për Shtetet e Bashkuara pasoja më të mëdha se në Afganistan dhe në Irak.
Seyed Hossein Mousavian jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej vitit 1981. Ai është prpfesor në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë, në Sacramento.
(r.m.)