Prishtinë, 22 korrik 2025 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë i bëri jehonë takimit të akterëve të sektorit të mbrojtjes e sigurisë në Kosovë, ku është diskutuar për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë, të mbajtur javën e kaluar në organizim të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Në një postim të ambasadës në rrjetet sociale thuhet se industria e mbrojtjes e Kosovës, në partneritet me kompanitë amerikane të këtij sektori, ka potencial ta bëjë Kosovën kontribues kyç në sigurinë globale.
“Krenarë që i bashkohemi Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kosovë për diskutime të rëndësishme mbi industrinë e mbrojtjes së Kosovës. Ky sektor ka potencial jo vetëm të nxisë rritjen ekonomike, por edhe ta pozicionojë Kosovën si kontribues kyç në sigurinë globale – të nxitur nga inovacioni dhe partneritetet e forta me kompanitë amerikane. Një industri mbrojtëse e qëndrueshme dhe moderne i forcon dy kombet tona”, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Në diskutimin për zhvillimin e sektorit të mbrojtjes në Kosovë kanë marrë pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenral-lejtënant Bashkim Jashari, Shefi i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë dhe profesionistë të fushës.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se këtë tryezë e ka organizuar me qëllim që të promovojë kapacitetet industriale lokale, të afirmojë partneritetin publiko-privat në këtë sektor dhe të kontribuojë për zhvillim të qëndrueshëm në industrinë e mbrojtjes.
(r.m.)