SHBA: Deklarata e “Kuvendit gjithserb” – sulm ndaj integritetit, sovranitetit dhe karakterit shumetnik të Bosnjës e Hercegovinës

Sarajevë, 10 qershor 2024 – Ambasada amerikane në Sarajevë tha të hënën se përfundimet e miratuara në Kuvendin gjithserb lidhur me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit dhe shtetin e pavarur të Bosnjë dhe Hercegovinës, nuk paraqesin mbrojtje të marrëveshjes, siç pretendojnë autorët, por janë një sulm i qëllimshëm ndaj asaj marrëveshjeje dhe institucioneve shtetërore të Bosnjës e Hercegovinës.

“Kjo është e rrezikshme”, thuhet në një deklaratë që pasoi mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republikës Serbe, në atë që u quajt “Kuvendi gjithëserb”, në të cilën u miratua një deklaratë për siç thuhet, mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb.

https://x.com/USEmbassySJJ/status/1800222971526623266?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1800222971526623266%7Ctwgr%5E9318dee561ef7a4eda4f5187bd032392be480aeb%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.zeriamerikes.com%2Fa%2F7650321.html

Në deklaratën prej 49 pikash që pritet të miratohet nga parlamenti i Serbisë dhe ai i entitetit serb në Bosnje, kundërshtohet Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, e cila u miratua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në fund të muajit maj.

Në tekstin e deklaratës kundërshtohet emërimi i përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar për Bosnjën dhe dënohet, siç thuhet, çdo mosrespektim i Marrëveshjes së Dejtonit dhe bartja e përgjegjësive nga niveli i entiteteve në nivelin qendror.

“Kuvendi gjithserb konsideron se Republika Serbe mundet, në masën që e sheh të arsyeshme, t’i aktivizojë të gjitha kompetencat që sipas Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit janë të parapara si kompetenca të subjektit”, thuhet mes tjerash në deklaratë.

“Ne në Republikën Serbe besojmë se Bosnja dhe Hercegovina nuk mund të vazhdojë me shkeljet e Dejtonit dhe ndërhyrjen e huaj të përmasave të pamatshme. Është më mirë të jetojmë si fqinjë të mirë, me të drejtat tona, si subjekte politike dhe territoriale, sesa të jemi përherë duke u grindur”, tha gjatë punimeve të Kuvendit, udhëheqësi nacionalist i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.

Në reagimin e ambasadës amerikane thuhet se “deklaratat publike të bëra nga zyrtarët e Republikës Serbe, veçanërisht presidenti i saj Dodik dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe në lidhje me përfundimet dhe planet për “ndarjen” e Republikës Serbe, shkëputje me një emër tjetër, përfaqësojnë një sulm ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe tërësisë tokësore, sovranitetit dhe karakterit shumetnik të Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Ambasada amerikane verën se as marrëveshja dhe as Kushtetuta e Bosnjës “nuk u japin entiteteve, apo ndonjë organi tjetër nënshtetëror, të drejtën e ndarjes, ‘shkëputjes’ ose ndonjë sinonim tjetër të ngathët për shkëputjen të sajuar nga zyrtarët e Republikës Serbe”, e cila, thuhet në reagim “nuk është shtet dhe mund të ekzistojë vetëm brenda Bosnjës dhe Hercegovinës. Ajo nuk paraqet personalitet juridik jashtë Bosnjës dhe Hercegovinës”, thuhet në reagim në të cilin theksohet se planet dhe veprimet e zotit Dodik “vënë në rrezik të ardhmen paqësore, demokratike dhe të begatë brenda institucioneve euroatlantike që populli i Bosnjës përfshirë banorët e Republikës Serbe e duan dhe e meritojnë”.

“Kuvendi gjithserb” nga vëzhguesit po shihet si një përpjekje e politikanëve serbë si një rrugë për krijimin e të ashtuquajturës “Bota Serbe” – një kopje e idesë së “Botës Ruse”, që do të bashkonte të gjithë serbët në Ballkan nën një flamur.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*