Uashingtoni garanton mbështetjen për Shqipërinë dhe qeverinë e ardhshme – Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu bisedoi me fituesit e zgjedhjeve të 23 qershorit, kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta
Denion Ndrenika
Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu përcolli porosinë e Shteteve të Bashkuara për mbështetje të vazhdueshme për Shqipërinë dhe qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Ambasadori Arvizu tha se për Shtetet e Bashkuara rëndësi ka kalimi butësisht i pushtetit dhe garancia për partneritet me Shqipërinë. Zoti Arvizu bisedoi me fituesit e zgjedhjeve të 23 qershorit, kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Sipas zotit Arvizu, për Shtetet e Bashkuara pritshmëritë janë të larta: “Arsyeja se përse jam këtu është të ritheksojmë edhe njëherë mbështetjen dhe angazhimin e fortë dhe të plotë të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë. Të kemi një tranzicion të lehtë, të butë dhe të qetë, sikurse janë përgatitjet për qeverinë e ardhshme”.
“Filluam një diskutim të mirë dhe thelbësor. Ky është mesazh kyç. SHBA janë partner i Shqipërisë”-shtoi ambasadori Arvizu pas takimit me zotin Rama, në pritje për t’u mandatuar për krijimin e qeverisë së re, duke iu përmbajntur mbështetjes për Shqipërinë dhe tranizicionin e qetë. Pas takimit me zotin Rama, ambasadori Arvizu shkoi në selinë e LSI-së. Premtimi i zotit Meta ishte se opozita që fitoi zgjedhjet do të vazhdojë të bashkëpunojë me SHBA-në. Zoti Meta veçoi përparësitë bazë të Shqipërisë dhe SHBA-së “në drejtimin e forcimit të ligjeve dhe pavarësinë e institucioneve”. “Do të bashkëpunojmë në prioritetet kryesore që ne kemi për vendin tonë, por edhe SHBA-të, si aleati ynë strategjik, kanë për Shqipërinë, edhe si vend anëtar i NATO-s, sidomos në drejtim të forcimit të ligjit dhe të pavarësisë së institucioneve, të një fryme të re bashkëpunimi në të gjithë jetën politike, por edhe në të gjithë shoqërinë tonë, për të krijuar një konsensus sa më të gjërë për përmbushjen e të gjitha reformave, të cilat do të përshpejtojnë integrimin evropian të Shqipërisë”-tha zoti Meta.
Ambasadori tha se vlerësonte dhe mirëpriste qëndrimet e zotit Meta, ndërsa shtoi se i vinte mirë për kohën që ndau me të pas një fushate të lodhshme. “Konfirmojmë të ardhmen demokratike të Shqipërisë dhe mbështetjen për në Bashkimin Europian. Pres me kënaqësi të bashkëpunoj me z Meta dhe anëtarët e tjerë të koalicionit”-tha zoti Arvizu.
Ambasadori amerikan bisedoi të mërkurën me kryeministrin në detyrë Sali Berisha. Zoti Arvizu përfundon mandatin në Shqipëri këtë verë dhe do të zëvendësohet nga ambasadori Donald Lu.