SHBA dhe BE dënojnë sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri

Prishtinë, 15 prill 2022 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dënojnë sulmet ndaj Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit dhe bëjnë thirrje që të shmangen çfarëdo veprimesh që mund të nxisin tensione në këtë pjesë të Kosovës.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur thellësisht i shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë zjarri dhe gurë të hedhur ndaj zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit afër Zubin Potokut.

Ambasadori amerikan, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se këto sulme ndodhën kur autoritetet sovrane e përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne bëjmë thirrje shmangen spekulimet që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, ka shkruar ambasadori Hovenier.

Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i ka dënuar ashpër sulmet ndaj Policisë së Kosovës në komunën e Zubin Potokut.

Ambasada e SHBA-së dhe Zyra e BE-së në Kosovë reaguan pas njoftimit se tri ditët e fundit në pjesën veriore të Kosovës janë kryer katër sulme ndaj zyrtarëve të policisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, njoftoi se në sulmin e parë kanë hasur në rrugë iriqë metalikë që dëmtojnë gomat e automjeteve, në sulmin e dytë zyrtarët policorë janë sulmuar me gurë, në sulmin e tretë kanë dëgjuar katër-pesë breshëri armësh me rreth 30 fishekë, ndërsa në sulmin e katërt sulmuesit kanë përdorur granata dore dhe automatikë AK 47.

(r.m.)