SHBA do të vendosë në Gjermani raketa me rreze të gjatë veprimi

Uashington, 11 korrik 2024 – Shtetet e Bashkuara do të fillojnë vendosjen e raketave me rreze më të gjatë veprimi në Gjermani në vitin 2026, njoftuan të dy vendet gjatë një takimi të vendeve të NATO-s të martën. Ky është një hap madhor që synon të mbrojë Evropën përballë kërcënimeve ruse në rritje.

Armët më të fuqishme amerikane, që do të vendosen në Gjermani, përbëjnë dislokimin më të rëndësishëm ushtarak në kontinentin evropian që nga Lufta e Ftohtë, një paralajmërim i qartë për Presidentin Vladimir Putin.

Deklarata amerikano-gjermane thotë se “dislokimi në faza” përbën një përgatitje për stacionim afatgjatë në Evropë të kapaciteteve luftarake ku do të përfshihen raketa të tipit Tomahawk dhe armë hipersonike me rreze më të gjerë veprimi.

“Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të aleatëve”, thanë aleatët në një komunikatë të publikuar të mërkurën.

Në komunikatën e lëshuar nga krerët e shteteve dhe qeverive që marrin pjesë në takimin e NATO-s në kryeqytetin amerikan, aleatët bënë të ditur synimin për t’i ofruar Ukrainës ndihmë ushtarake me një vlerë prej 40 miliardë euro brenda vitit të ardhshëm.

Dokumenti gjithashtu shprehet me një gjuhë më të ashpër se në të kaluarën ndaj Kinës, duke e quajtur atë si “mundësuese e përpjekjeve” luftarake të Rusisë ndaj Ukrainës, dhe se Pekini vazhdon të paraqesë sfida sistematike për sigurinë euro-atlantike.

Ballkani Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi kanë një rëndësi strategjike për aleancën dhe NATO-ja mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të tyre, thuhet në komunikatë.

“Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin praktik me Ballkanin Perëndimor për të mbështetur reformat, paqen dhe sigurinë rajonale dhe të luftojmë kundër ndikimit malinj, përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike nga aktorë shtetërorë dhe aleatët e tyre”, thuhet në komunikatë.

Dokumenti thekson rëndësinë e vlerave demokratike, shtetin e së drejtës, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si jetike për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik, thuhet në pikën për Ballkanin.

“Mbetemi të përkushtuar ndaj angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë të udhëhequra nga NATO”, thekson komunikata.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Konfirmoi të mërkurën se drejt Ukrainës janë nisur avionë të tjerë të tipit F-16 të dërguar nga Danimarka dhe Holanda.

Gjatë një interviste të mërkurën për radion e rrjetit FOX NEWS, kandidati republikan për president, Donald Trump tha se nuk do t’i tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja ndërsa përsëriti thirrjet që vendet anëtare të shpenzonin më shumë për mbrojtjen.

“Unë thjesht dua që ata të paguajnë detyrimet e tyre. Ne po e mbrojmë Evropën dhe ata po përfitojnë nga kjo”, tha zoti Trump.

Në komunikatë i bëhet thirrje Kinës që të ndërpresë mbështetjen materiale dhe politike për përpjekjet luftarake të Rusisë, ndërsa shprehen shqetësime lidhur me aftësitë hapësinore të Kinës. Dokumenti foli për zgjerimin e shpejtë të arsenalit bërthamor kinez duke i kërkuar Pekinit që të angazhohej në bisedimet strategjike për uljen e rrezikut.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*