Uashington, 24 gusht 2021 – Presidenti Joe Biden ka vendosur të mos e zgjasë afatin për tërheqjen e plotë të trupave amerikane dhe aleatëve afganë nga Afganistani, që është 31 gushti. Lajmi u bë i ditur të martën nga një zyrtar i administratës.
Presidenti Biden e mori vendimin pas këshillimit me ekipin e tij të sigurisë kombëtare. Duke peshuar rreziqet që paraqet mbajtja e forcave në terren përtej afatit, zoti Biden zgjodhi të përfundojë misionin të martën e ardhshme, që ishte dhe afati që ai vendosi shumë përpara se talebanët të merrnin kontrollin e plotë të Afganistanit më 15 gusht.
Presidenti Biden i kërkoi ekipit të tij të sigurisë kombëtare që të hartojnë plane emergjence në rast se lind një situatë, që do të kërkonte shtyrjen për pak kohë të afatit, tha i njëjti zyrtar amerikan.
Të martën Shtetet e Bashkuara e rritën numrin e fluturimeve ajrore me të evakuuar nga Afganistani, në nivelin më të lartë të tyre. Zoti Biden po shqyrtonte mundësinë nëse do të zgjasë afatin që vendosi vetë, duke marrë në konsideratë kërcënimet e vazhdueshme të sigurisë nga grupet ekstremiste në kryeqytetin afgan, rezistencën e talebanëve ndaj shtyrjes së afatit si dhe mundësive që jo të gjithë amerikanët dhe aleatët afganë në rrezik, mund të evakuohen deri të martën tjetër.
Aleatët evropianë të Shteteve të Bashkuara, ligjvënësit amerikanë, grupet e veteranëve si dhe organizatat e refugjatëve po i kërkojnë Presidentit Biden të vazhdojë evakuimet për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Në një konferencë shtypi në Kabul, zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid tha të martën se grupi nuk do të pranojë “asnjë zgjatje” të afatit.
Më vonë gjatë ditës, zëdhënësi Pentagonit John Kirby, tha se ushtrisë do t’i duhen “të paktën disa ditë” për të tërhequr plotësisht nga Kabuli pajisjet si dhe disa mijëra trupa. Ai tha se ende po synohet që largimi të ndodhë deri më 31 gusht. Sipas zotit Kirky ka kohë të mjaftueshme për të nxjerrë të gjithë amerikanët nga Afganistani, por ai dha pak detaje në lidhje me përfundimin e evakuimit të të gjithë afganëve në rrezik.
“Ne besojmë se kemi aftësinë për ta bërë këtë gjë deri në fund të muajit”, tha ai, duke iu referuar një numri të paspecifikuar qytetarësh amerikanë që kërkojnë të largohen nga ky vend. Ai tha se disa qindra vetë janë evakuuar të hënën dhe se “disa mijëra” kanë arritur të dalin që nga fillimi i operacionit, por pa dhënë më shumë detaje.
Aleatët e Shteteve të Bashkuara e vende të tjera po kryejnë gjithashtu evakuime dhe do të duhet t’i mbyllin operacionet e të largohen, përpara trupave amerikane.
(Zëri i Amerikës)