SHBA e mirëpret marrëveshjen ruso-ukrainase për eksportin e drithit

Uashington, 22 korrik 2022 – Departamenti amerikan i Shtetit e mirëpriti arritjen e marrëveshjes për drithin e Ukrainës. Zëdhënësi Ned Price, në paraqitjen e tij para gazetarëve, tha se Shtetet e Bashkuara do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjes në fjalë.

“Shtetet e Bashkuara kërkojnë gjithashtu që Kina të ndalojë grumbullimin e grurit dhe të ofrojë më shumë për të përmbushur nevojat globale për ndihmë humanitare, u tha gazetarëve James O’Brien, kreu i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve në Departamentin amerikan të Shtetit.

Zyrtarët rusë dhe ukrainas nënshkruan të premten një marrëveshje për t’i dhënë fund bllokimit të eksporteve të drithërave.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua me ndërmjetësimin e Turqisë dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, parashikon që Ukraina të eksportojë 22 milionë tonë drithë dhe prodhime të tjera bujqësore që kanë ngecur në portet e Detit të Zi.

Ukraina është një nga furnizuesit kryesorë të drithrave në botë, por bllokada e porteve nga ana e Rusisë e ka rrezikuar eksportin e tyre në botë.

(r.m.)