Prishtinë, 11 qershor 2025 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë gatishmërinë e Kosovës për lehtësimin e kthimit të emigrantëve nga SHBA në vendet e origjinës.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se SHBA e mirëpret bashkëpunimin e Kosovës për çështjen e emigrantëve të paligjshëm, të cilën e cilëson se “përparësi kyçe” të administratës së Presidentit Donald Trump.
“Jemi mirënjohës ndaj partneres sonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre të huajve në vendet e tyre të origjinës. Ne e mirëpresim bashkëpunimin në këtë përparësi kyçe të Administratës Trump”, ka thënë një zëdhënës i ambasadës për Telegrafin.
Ambasada ka thënë se bashkëpunimi me qeveritë e huaja është jetik për pengimin e migrimit të paligjshëm në SHBA.
“Angazhimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është jetik për të penguar migrimin e paligjshëm dhe masiv dhe për të siguruar kufijtë tanë. Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, kas thënë zëdhënësi i ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Ambasada ka kujtuar se sekretari i Shtetit Marco Rubio ka theksuar vendosmërinë për t’i dhënë fund migrimit të paligjshëm në SHBA.
Të mërkurën, Qeveria në detyrë e Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pranimin e përkohshëm në Kosovë të emigrantëve të paligjshëm që do të riatdhesohen nga SHBA në vendet e tyre.
“Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar për REL-in, më 6 qershor, se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në strategjinën e SHBA-së për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.
“Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, ka thënë theksoi DASH.
“Largimi nga SHBA-ja i të huajve për të cilët ekzistojnë urdhra përfundimtarë për dëbim, si dhe dëbimi i imigrantëve të paligjshëm, i mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, thuhej në përgjigjen e DASH për Radioon Evropa e Lirë)
(r.m.)