SHBA: Hyn në fuqi rregullorja mbi procesimet për strehim politik

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Në gjykatat si dhe në zyrat e strehimit politik në shtatë qytetet që shërbejnë si destinacion, hyn në fuqi rregullorja mbi procesimet për strehim politik.

Shtetasit e huaj të cilët mbërrijnë në kufi duhet të kenë parasysh që një rregullore e re që quhet “Procedures for Credible Fear Screening and Consideration of Asylum, Withholding of Removal, and CAT Protection Claims by Asylum Officers” hyri në fuqi më 31 maj, 2022. Kjo rregullore ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore procesin e shqyrtimit të kërkesave për strehim politik të të huajve që kalojnë nëpër procedura të përshpejtuara dëbimi pranë kufirit jugor.

Mes ndryshimeve të tjera, personat që i nënshtrohen rregullores së re:

  • Nuk paraqesin formular I-589; rolin e tij tashme e luajnë shënimet e marra nga zyrtari i emigracionit gjatë intervistës në kufi e cila vendos nëse frika e rikthimit në vendin nga kanë ardhur, ka bazë (CFI);
  • Pasi kalojnë intervistën CFI, nuk vihen menjëherë në procedura deportimi, por i kalojnë zyrës së strehimit politik për të bërë intervistën (AMI) e cila vendos nëse kërkesa për strehim politik ka ose jo bazë reale; 
  • Në rast se nuk e kalojnë intervistën me zyrën e emigracionit, do t’i kalojnë gjykatës së emigracionit për një procedurë më të thjeshtuar;
  • Duhet të paraqesin kërkesën brenda një kornize kohore të përshpejtuar dhe seanca dëgjimore duhet të kryhet brenda 180 ditëve nga dita e intervistës CFI.

Këto lloj intervistash dhe procedurash deportimi po kryhen në disa qytete kryesore të caktuara të SHBA-së.

Të gjithë aplikantët për azil politik duhet të jenë në dijeni të ndryshimeve thelbësore në procesin e shqyrtimit të aplikimeve për azil si dhe përshpejtimet nga pikëpamja kohore të procedurave, në një kohë kur rastet e azilkërkuesve po dëgjohen qoftë nga zyrtarët e emigracionit qoftë nga gjykatat që gjenden në qytetet jashtë kufirit jugor.Aktualisht, rregullorja po vihet në zbatim gradualisht dy pikat e paraburgimit në Teksas të cilat si destinacion të mëtejshëm kanë një nga qytetet në vijim: Boston, Los Angeles, Miami, New York, Newark, San Francisco, ose Chicago. Zyrat e emigracionit në këto qytete kanë filluar tashmë intervistat AMI.

Aplikantët kanë në dispozicion një kohë të shkurtër brenda së cilës duhet të përgatisin kërkesat e tyre për azil, të japin intervistat AMI si dhe nëse intervista nuk del me sukses, të kalojnë në procedura deportimi të përshpejtuara. Vetëm ata persona që janë kaluar në procedura të përshpejtuara deportimi pas 31 majit, 2022, kualifikohen për t’iu nënshtruar procesit të ri. Rregullorja e re vlen vetëm për të rriturit dhe familjarët e tyre që janë në procedura të përshpejtuara dëbimi dhe që kanë treguar se synojnë të paraqesin kërkesë për strehim politik, se kanë frikë se do të torturohen apo persekutohen nëse kthehen në vendet nga kanë ardhur. Rregullorja e re nuk gjen zbatim tek fëmijët që janë të pashoqëruar.

Jo-nënshtetasit që kapen në kufi duhet të kërkojnë menjëherë këshilla ligjore lidhur me këto procedura. Anëtarët e familjeve i këshillojmë të tregohen sa më proaktivë. Wshtë e rëndësishme që aplikantët për strehim politik të kenë parasysh se gjithshka që kanë deklaruar më parë përpara zyrtarit të emigracionit bëhet pjesë e dosjes e cila i kalon gjykatës së emigracionit nëse aplikantët në fjalë nuk e kalojnë me sukses intervistën.