SHBA ia dhuron Kosovës një skaner për siguri kufitare në vlerë 3 milionë dollarë

Prishtinë, 22 janar 2026 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë dhuruar Kosovës një skaner mobil Rapiscan, prodhim amerikan, në vlerë prej 3 milionë dollarësh për të forcuar sigurinë kufitare.

Ceremonia e dorëzim-pranimit të skanerit mobil, investim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në forcimin e kontrolleve doganore dhe në rritjen e sigurisë kufitar, është zhvilluar në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Merdar. Në ceremoni kanë marrë pjesë: e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.

Ambasada Amerikane në Kosovë, në një njoftim për publikun, ka thënë se luftimi i trafikimit të paligjshëm dhe parandalimi i përhapjes së mallrave të falsifikuara i bën bizneset amerikane dhe kosovare më të forta dhe më konkurruese.

“Kjo teknologji rrit kapacitetet e zbulimit, mbështet tregtinë e ligjshme dhe avancon interesat e përbashkëta të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane.

Skanerët Rapiscan janë sisteme të avancuara të kontrollit të sigurisë, të prodhuara nga kompania amerikane Rapiscan Systems, e specializuar në teknologji zbulimi. Ata përdoren gjerësisht në pikat kufitare dhe doganat, portet dhe aeroportet, objektet qeveritare dhe ushtarake e infrastrukturën kritike.

Në varësi të modelit, skanerët Rapiscan mund të zbulojnë armë dhe mjete shpërthyese, drogë dhe kontrabandë, mallra të falsifikuara ose të padeklaruara dhe objekte të fshehura në automjete, në kontejnerë apo në bagazhe.

Shumica e skanerëve Rapiscan përdorin teknologji me rreze X (përfshirë rreze X me energji të lartë për ngarkesa të mëdha) dhe softuerë të avancuar analizues, i cili identifikon forma, dendësi dhe materiale.

(r.m.)