SHBA-ja dhe Britania e Madhe kryen sulme ndaj objektivave të rebelëve Huthi në Jemen

Sana / Uashington / Londër, 12 janar 2024 – Forcat amerikane dhe britanike kanë kryer sulme ajrore dhe detare ndaj objektivave ushtarake të grupit rebel Huthi në Jemen si përgjigje ndaj sulmeve të tyre kundër anijeve tregtare amerikane dhe ndërkombëtare në Detin e Kuq, tha Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).

Sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Britanisë nisën vonë më 11 janar dhe u kryen me mbështetjen e Australisë, Kanadasë, Holandës dhe Bahreinit, tha CENTCOM në një deklaratë në platformen X.

“Ky aksion shumëkombësh synoi sistemet e radarëve, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe vendet e magazinimit dhe lëshimit për të sulmuar sistemet ajrore pa pilot, raketat e lundrimit dhe raketat balistike”, tha CENTCOM.

Zëdhënësi ushtarak i Houtht, gjenerali Yahya Saree, në një fjalim të regjistruar, tha se 73 sulme goditën pesë rajone të Jemenit nën kontrollin e tyre, duke vrarë pesë persona dhe plagosur gjashtë të tjerë. Ai nuk dha detaje se kush mbeti i vdekur.

“Armiku amerikan dhe britanik mban përgjegjësi të plotë për agresionin e tij kriminal kundër popullit tonë jemenas dhe ai nuk do të mbetet pa përgjigje dhe pa u ndëshkuar”, tha Saree.

Sulmet e SHBA-së dhe Britanisë goditën objektivat në Jemenin e kontrolluar nga rebelët herët të premten pas disa javë sulmesh në anijet e Detit të Kuq nga forcat Huthi të mbështetura nga Irani.

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se sulmet kishin për qëllim të demonstronin se SHBA-ja dhe aleatët e saj “nuk do të tolerojnë” sulmet e pandërprera të grupit militant në Detin e Kuq. Dhe ai tha se ata e bënë këtë veprim vetëm pas përpjekjeve për negociata diplomatike dhe diskutime të kujdesshme.

“Sot, në drejtimin tim, forcat ushtarake të SHBA-së – së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës – kryen me sukses sulme kundër një numri objektivash në Jemen të përdorura nga rebelët Huthi për të rrezikuar lirinë e lundrimi në një nga rrugët ujore më vitale në botë”, tha Biden në një deklaratë.

“Këto sulme janë në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedentë të grupit Huthi kundër anijeve detare ndërkombëtare në Detin e Kuq – duke përfshirë përdorimin e raketave balistike kundër anijeve për herë të parë në histori”, tha Biden.

Ai vuri në dukje se sulmet rrezikuan personelin amerikan, marinarët civilë e tregtinë dhe shtoi: “Unë nuk do të hezitoj të drejtoj masa të mëtejshme për të mbrojtur popullin tonë dhe rrjedhën e lirë të tregtisë ndërkombëtare sipas nevojës”.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, i cili është ende i shtruar në spital pas komplikimeve të operacionit, tha në një deklaratë se sulmet kishin për qëllim dronët Huthi, raketat balistike dhe të lundrimit, si dhe radarët bregdetar dhe aftësitë e mbikëqyrjes ajrore.

Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se sulmet ishin “të nevojshme dhe proporcionale”.

“Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga komuniteti ndërkombëtar, Huthit kanë vazhduar të kryejnë sulme në Detin e Kuq”, tha Sunak në një deklaratë.

“Prandaj ne kemi ndërmarrë veprime të kufizuara, të nevojshme dhe proporcionale në vetëmbrojtje, së bashku me Shtetet e Bashkuara…për të degraduar aftësitë ushtarake Huthi dhe për të mbrojtur anijet globale,” tha ai.

Përmes një deklarate Franca ka dënuar sulmet e rebelëve Huthi ndaj anijeve tregtare. Ministria e Jashtme tha se Huthit janë përgjegjës për përshkallëzimet në Detin e Kuq.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha të premten se Gjermania mbështet sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara ndaj objektivave Huthi në Detin e Kuq. “Reagimi ka mbështetjen tonë politike”, tha Baerbock nga Kuala Lumpur, pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Malajzisë, Mohamad Hasan.

Shtëpia e Bardhë tha se më shumë se 2.000 anije ishin detyruar të bënin devijime prej mijëra kilometrash për të shmangur Detin e Kuq për shkak të akteve të rebelëve Huthi që prekën më shumë se 50 vende. Gjithashtu tha se ekuipazhet nga më shumë se 20 vende ose u morën peng ose u kërcënuan nga grabitësit Huthi.

Huthit kanë thënë se synimi i tyre i lundrimit në Detin e Kuq ka për qëllim të tregojë mbështetjen e grupit për palestinezët dhe Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evorpian.

Rusia dhe Irani, mbështetësi kryesor të rebelëve Huthi, i dënuan menjëherë sulmet duke thënë se ato do të sillnin turbulenca të mëtejshme në Lindjen e Mesme.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ushtarake të kryera këtë mëngjes nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar në disa qytete në Jemen”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kannani në një postim në Telegram.

“Këto veprime arbitrare janë një shkelje e qartë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Jemenit dhe një shkelje e ligjeve dhe rregulloreve ndërkombëtare. Këto sulme do të kontribuojnë vetëm në pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë në rajon,” shtoi ai.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha se Moska kishte kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar sulmet ushtarake.

Zëdhënësi i rebelëve Houthi, Yahya Saree, në një fjalim të regjistruar, tha se 73 sulme goditën pesë rajone të Jemenit nën kontrollin e tyre, duke vrarë pesë persona dhe plagosur gjashtë të tjerë. Ai nuk dha detaje se kush mbeti i vdekur.

“Armiku amerikan dhe britanik mban përgjegjësi të plotë për agresionin e tij kriminal kundër popullit tonë jemenas dhe ai nuk do të mbetet pa përgjigje dhe pa u ndëshkuar”, tha Saree.

“Amerika dhe Britania padyshim do të duhet të përgatiten të paguajnë një çmim të rëndë dhe të mbajnë të gjitha pasojat e tmerrshme të këtij agresioni flagrant”, shkroi Hussein al-Ezzi, një zyrtar i grupit Huthi.

Mohammed Abdul-Salam, kryenegociatori dhe zëdhënësi i rebelëve Huthi, tha se SHBA-ja dhe Britania “kanë kryer marrëzi me këtë agresion”.

“Ata e kishin gabim nëse mendonin se do ta pengonin Jemenin të mbështesë Palestinën dhe Gazën,” shkroi ai në internet.

“Synimi i grupit Huthi do të vazhdojë të prekë anijet izraelite ose ato që shkojnë në portet e Palestinës së pushtuar”, tha ai.

Në Sada, që është bastion i rebelëve Huthi në veriperëndim të Jemenit, qindra njerëz u mblodhën të premten. Turma thërriste disa herë sloganin Huthi: “Zoti është më i madhi; vdekje për Amerikën; vdekje Izraelit; mallkoni hebrenjtë; fitore Islamit”.

Huthit e Jemenit, të lidhur me Iranin, po luajnë një rol përshkallëzues në konfliktin në Lindjen e Mesme, duke sulmuar anijet në Detin e Kuq, duke gjuajtur raketa e duke kryer sulme me dronë ndaj Izraelit, në një fushatë që ata thonë se synon të mbështesë palestinezët në luftën në Gazë.

Roli i rebelëve Huthi ka shtuar rreziqet rajonale të konfliktit, duke vënë në rrezik linjat detare përmes së cilave transportohet shumica e naftës së botës dhe ka rritur shqetësimet në mesin e shteteve në Detin e Kuq, përderisa raketat dhe dronët e rebelëve Huthi fluturojnë drejt Izraelit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, kishte njoftuar më 19 dhjetor për krijimin e një operacioni shumëkombësh për të mbrojtur tregtinë në Detin e Kuq në përgjigje të sulmeve të rebelëve Huthi.

(REL)