Uashington / Teheran / Tel Aviv, 28 shkurt 2026 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë nisur sulmet ajrore kundër Iranit, të shtunën, heret në mëngjes. CNN rasporton se në Teheran dhe në disa qytete tjera iraniane janë dëgjuar shpërthime të fuqishme.
Mediet iraniane raportojnë se shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në Teheran, në afërsi të zonës ku banon lideri suprem iranian, Ajatollahu Ali Khamenei. Agjencia e lajmeve FARS raportoi se të paktën 7 raketa kanë goditur në këtë zonë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se ushtria amerikane ka nisur operacione të mëdha ushtarake kundër Iranit.
“Pak kohë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë nisur operacione të mëdha luftarake në Iran”, ka thënë Trump, në një video të publikuar në rrjetin social “Truth Social”.
“Objektivi ynë është që t’i mbrojmë amerikanët duke e eliminuar kërcënimin nga regjimi iranian, një grup i egër njerëzish të tmerrshëm”, ka thënë ai.
Trump ka thënë se sulmet kanë ardhur pas përpjekjeve të pasuksesshme të Shteteve të Bashkuara që të arrihet një marrëveshje për programin përthamor të Iranit. Ai ka thënë se Irani kishte vazhduar punën në programin e tij bërthamor pas sulmerve ajrore amerikane ndfaj impianteve bërthamore iraniane të qershorit të vitit të kaluar.
“Ata hodhën poshtë çdo mundësi për të arritur ambiciet e tyre bërthamore dhe ne nuk mund ta durojmë më këtë”, ka thënë ai.
Trump është zotuar se tani SHBA-ja do ta shkatërrojë plotësisht industrinë raketore të Iranit.
“Ne do t’i shkatërrojmë raketat e tyre dhe do ta rrafshojmë industrinë e tyre të raketave”, ka thënë ai.
Mediet iraniane të afërta me pushtetin raportojnë se Irani po përgatitet të hakmerret për sulmet e e kryera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli. Sipas tyre, në shënjestër pritet të jetë Izraeli.
“Irani po përgatitet për hakmarrje dhe për një përgjigje shkatërruese ndaj regjimit sionist”, raportoi TASNIM, agjenci lajmesh gjysmëzyrtare e lidhur me Trupat elitare të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Analistët thonë se Teherani zotëron një gamë të gjerë opsionesh për hakmarrje, përfshirë sulme me raketa me rreze të shkurtër veprimi ndaj bazave amerikane në rajon ose ndaj objekteve ushtarake dhe civile në Izrael. Sipas tyre, raketat iraniane mund të shënjestrojnë edhe anijet luftarake amerikane në Gjirin Persik.
Përveç raketave, Irani ka edhe anije detare, dronë dhe nëndetëse më të vogla që mund të përbëjnë kërcënim për anijet amerikane në ujërat e Gjirit Persik e përreth.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi në mëngjes herëet se ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në gjithë Izraelin.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se sirenat e alarmit janë aktivizuar në gjithë Izraelin dhe qytetarët janë udhëzuar të strehohen në zona të sigurta. Ajo ka thënë se këto janë masa mbriojtëser ndaj sulmeve të mundshme iraniane kundër Izraelit.
(r.m.)