Prishtinë, 30 korrik 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka miratuar vazhdimin e programit kompakt të Korporatës ë Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) të Qeverisë amerikane për Kosovën.
“Lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën! Mirënjohje e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Presidentja Osmani në Facebook.
“Ky moment përfaqëson një dëshmi të qartë të vizionit të Presidentit Trump dhe përkushtimit të administratës së tij për forcimin e aleancave përmes nxitjes së mundësive ekonomike dhe prosperitetit të ndërsjellë”, ka theksuar ajo.
Presidenca e Kosovës njoftoi se Presidentja Osmani është njoftuar për miratimin e këtij vendimi nga Zëvendës Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar njoftimin zyrtar nga Zëvendës Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, se Qeveria amerikane ka marrë vendim për të vijuar me zbatimin e Kompaktit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në Kosovë, duke konfirmuar përkushtimin e palëkundur të SHBA-së për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike të vendit tone”, thuhet në njoftim.
Presidenca e Kosovës tha se ky vendim vjen pas angazhimeve të Presidentes Osmani.
“Ky vendim me rëndësi të veçantë, vjen pas letrës që Presidentja Osmani i ka dërguar Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, si dhe pas takimit të suksesshëm të Presidentes Osmani me Zëvendës Sekretarin Landau, gjatë vizitës së saj zyrtare në Washington, ku është diskutuar në detaje për përfitimet e dyanshme të këtij programi. Vetëm pak ditë pas këtij takimi të nivelit të lartë, administrata amerikane dha dritën e gjelbër për vazhdimin e Kompaktit, ndërsa Zëvendës Sekretari Landau ka luajtur një rol kyç në këtë vendimmarrje. Në diskutimet me Administratën Trump, Presidentja ka theksuar se Kompakti i MCC-së, jo vetëm që rritë sigurinë energjetike të vendit, por gjithashtu krijon mundësi të reja për investime të ndërsjella dhe hap rrugë të reja për bizneset amerikane në tregun kosovar”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e mirëpriti vendimin e administratës Trump për azhdimin e programit kompakt të MCC-së. Ai tha se vazhdimi i këtij program është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën.
“Vazhdimi i Programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën nga administrata e Presidentit Donald Trump është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë. Edhe më shumë të lumtur dhe krenarë na bën fakti që Republika jonë është një ndër shtetet e pakta për të cilat financimi i programeve të MCC-së do të vazhdojë. Jemi thellësisht e përherë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe angazhohemi çdo ditë për partneritet të fortë e të besueshëm”, ka sjkruar Kurti në Facebook.
Kosova kishte arritur marrëveshje me MCC-në për programin kompakt në vitin 2022. Në vitin 2024, MCC-ja dhe Qeveria e Kosovës nisën zbatimin e këtij programi, i cili është i përqendruar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër.
Programi kompakt i MCC-së kap vlerën e 236.7 milionë dollarësh. Nga kjo shumë, 202 milionë janë nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera janë kontribut i Qeverisë së Kosovës.
Sipas marrëveshjes, projekti kyç i këtij programi është ai i ruajtjes së energjisë. Përmes tij, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.
MCC-ja kanë deklaruar se kompakti do të shërbejë si “gurthemel i tranzicionit të Kosovës drejt energjisë së gjelbër, duke rritur sigurinë energjetike të vendit dhe duke nxitur transformimin e tij socio-ekonomik”.
MCC-ja ka bashkëpunuar me Kosovën që nga viti 2016. Përveç programit kompakt për energji, MCC-ja ka pasur edhe programe të tjera për zhvillimin ekonomik në Kosovë në vlerë prej 50 milionë dollarësh.
Kjo agjenci e SHBA-së po ashtu ka ofruar bursa për shkollimin e grave në fushën e energjisë.
(r.m.)