SHBA-ja e shpëton aviatorin e zhdukur në Iran pas rrëzimit të avionit amerikan

Uashington, 5 prill 2026 – Forcat amerikane e kanë shpëtuar edhe anëtarin e dytë të ekuipazhit të një avioni luftarak F-15, i cili u rrëzua ditë më parë në Iran, duke e përfunduar me sukses  misionin e kërkim-shpëtimit me rrezik të lartë thellë në territorin e armikut.

“E shpëtuam”, shkroi presidenti amerikan, Donald Trump, në Truth Social, pak pasi u njoftua për shpëtimin e aviatorit.

“Ai ka pësuar lëndime, por do të jetë mirë”, shtoi Trump.

Anëtari i dytë i ekuipazhit, i identifikuar si oficer i sistemeve të armëve (WSO), u shpëtua në orët e para të 5 prillit sipas kohës lokale, në një operacion kompleks të kryer nga forcat speciale amerikane dhe njësi të tjera ushtarake.

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe burimeve rajonale të cituara nga Fox News, aviatori i shpëtuar dhe ekipi i shpëtimit janë larguar në mënyrë të sigurt nga Irani.

Avioni luftarak i tipit F-15E Strike Eagle u rrëzua nga mbrojtja ajrore iraniane më 3 prill. Të dy anëtarët e ekuipazhit u hodhën me parashutë pasi avioni i tyre u godit gjatë një misioni të kryer gjatë natës në jugperëndim të Iranit. Sipas Axios dhe Fox News, ata vendosën shpejt kontakt me forcat amerikane, duke përdorur pajisje për komunikim emergjent. Anëtari i parë i ekuipazhit u shpëtua pak orë pasi u hodh me parashutë nga avioni i dëmtuar.

Aviatori i dytë thuhet se përdori trajnimet e mbijetesës, shmangies, rezistencës dhe arratisjes (SERE) për ta shmangur kapjen, duke u larguar nga rrënojat dhe duke kërkuar strehim në terren të lartë, ku u aktivizua një sinjal emergjent për t’i udhëzuar ekipet e shpëtimit.

Zyrtarët amerikanë thanë se forcat iraniane, përfshirë anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe njësive të lidhura Basij, po e kërkonin vazhdimisht aviatorin e rrëzuar.

Ekipet amerikane të shpëtimit u përballën me përpjekje për ta ndërprerë operacionin, por forcat amerikane ndërhynë për të mos i lejuar njësitet iraniane të afrohen.

Fox News, duke cituar burime të informuara për misionin, raportoi se gjatë operacionit pati luftime tokësore, megjithëse asnjë personel amerikan nuk u vra. Në videoregjistrimet e shpërndara nga dëshmitarë lokalë shihen viktima mes forcave iraniane të përfshira në kërkim.

“Ishte një operacion shumë i ndërlikuar për ta rimarrë ushtarin e rrëzuar”, tha për Fox News një burim i njohur me misionin, duke theksuar se u përfshinë disa njësite të ushtrisë amerikane.

Operacioni përfshinte personel elitar shpëtimi të Forcave Ajrore të SHBA-së, të mbështetur nga mjete të shumta ajrore dhe tokësore. Raportohet se dy helikopterë shpëtimi janë goditur nga zjarri i armikut dhe disa anëtarë të ekuipazhit janë plagosur, por ata kanë arritur të tërhiqen në mënyrë të sigurt nga territori iranian.

Disa orë para se të konfirmohej shpëtimi i aviatorit të dyrë, mediat iraniane raportuan për sulme ajrore në jugperëndim të Iranit, ku besohej se po fshihej aviator i zhdukur.

Edhe autoritetet iraniane po e kërkonin anëtarin e ekuipazhit të avionit të rrëzuar dhe kishin ofruar shpërblime për qytetarët që mund t’i kapnin dhe t’i dorëzonin.

Zyrtarët perëndimorë thanë se Izraeli i shtyu sulmet e planifikuara në zonë për të shmangur ndërprerjen e operacioneve amerikane të shpëtimit. New York Times, duke cituar një zyrtar izraelit, raportoi se Izraeli ndau informacione inteligjente me forcat amerikane.

Fox News konfirmoi se një avion A-10 Warthog që siguronte mbulim për operacionin e shpëtimit të aviatorit u rrëzua më 3 prill në Kuvajt. Piloti u hodh me parashutë në mënyrë të sigurt dhe  shpëtua.

(r.m.)

Comment

*