SHBA-ja e shqetësuar nga raportimet për shit-blerje të votave në Shqipëri

Tiranë, 10 maj 2023 – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, shprehu shqetësim për raportimet për shit-blerje të votës, katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Kryediplomatja amerikane kërkoi që autoritetet shqiptare të reagojnë lidhur me këto raportime.

“Të gjithë ata që kanë të drejtë vote, duhet të votojnë. Kemi parë raportime për blerje dhe shitje votash dhe shpresojmë që autoritetet do të bëjnë detyrën e tyre. Nëse disa po thonë se po blejnë vota për një parti politike, ndaj kësaj partie politike duhen ndërmarrë veprime”, tha ambasadorja Kim.

Kjo deklaratë e ambasadores Kim vjen katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve vendore, në ditën kur policia shqiptare njoftoi se një person është ka arrestuar dhe një tjetër është liruar në procedurë të rregullt, për shkak se ata po diskutonin për shitblerje votash për një subjekt politik.

Në videon e publikuar në media në Shqipëri, flitet për një shumë deri në 15 mijë lekë (135 euro) për katër vota.

Shit-blerja e votës është një nga problemet kryesore që është raportuar në çdo proces zgjedhor në Shqipëri. Për këtë fenomen e ka tërhequr vërejtjen edhe OSBE/ODIHR.

“Ashtu siku në zgjedhjet e mëparshme, pretendimet e besueshme të blerjes së votës ishin të pranishme gjatë dhe pas fushatës dhe hetimet filluan në një numër çështjesh. Pretendime të tilla nuk ishin të kufizuara në asnjë parti”, thuhet në raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, të mbajtura më 25 prill të vitit 2021.

OSBE/ODIHR u rekomandoi agjencive të zbatimit të ligjit që të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht personat e përfshirë në rastet e blerjes së votave.

Më 14 maj në Shqipëri votohet për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive dhe këshilltarët e rinj bashkiakë.

(Jetmira Delia – Kaci, REL)