Sharm el-Sheik (Egjipt), 13 tetor 2025 – Presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një dokument me Egjiptin, Turqinë dhe Katarin, për marrëveshjen e armëpushimit në Gazë.
Nënshkrimi u bë në Sharm el-Sheik, në samitin për paqe ku po marrin pjesë udhëheqës nga mbi 20 shtetet më të fuqishme të botës.
Trump e nisi fjalimin e tij në samit duke treguar se çfarë dokumenti po nënshkruajnë.
“Ne do të nënshkruajmë një dokument që do të shpalosë detaje të shumë rregullave dhe gjëra të tjera. Është dokument shumë gjithëpërfshirës”, tha ai.
“U deshën 3.000 vjet të arrinim në këtë pikë. A mund ta besoni? Do të respektohet”, tha Trump, duke e nënshkruar dokumentin.
Më herët, para takimit me presidentin e Egjiptit, Abdel Fatal al-Sisi, Trump, Trump tha se Egjipti ka luajtur “rol të rëndësishëm” për marrëveshjen për lirimin e pengjeve.
I pyetur nga gazetarët se kur do të nisin bisedimet për fazën e dytë të bisedimeve mbi planin e tij 20 pikësh për Gazën, Trump tha se këto bisedime “tashmë kanë nisur”.
Ndërkaq, presidenti i Egjiptit tha se do që të sigurohet që armëpushimi në Gazë të respektohet.
Para se të shkonte në Egjipt, presidenti amerikan qëndroi në Izrael, për të shënuar kthimin e 20 pengjeve izraelite në shtëpi, të cilat janë mbajtur nga Hamasi. Në fjalimin e tij në Parlamentin izraelit, ai tha se “të gjithë janë dëshmitarë të një agimi historik të një Lindjeje të Mesme të re”.
Ai theksoi se shtetet e Lindjes së Mesme “nuk duhet të krijojnë armiq”, por duhet të punojnë së bashku për të krijuar “mundësi dhe prosperitet” në rajon.
Trump tha se shtetet e rajonit duhet të përqendrohen në ndërtimin e shkollave, në investime në shëndetësi, në industri dhe në inteligjencë artificiale.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara foli me tone qetësuese edhe për Iranin.
“Edhe ndaj Iranit, regjimi i të cilit ka shkaktuar aq shumë vdekje në Lindjen e Mesme, dora e miqësisë dhe bashkëpunimit është e zgjatur”, tha presidenti Trump.
(r.m.)