SHBA-ja i dhuron shtatë dronë Policisë së Kosovës

Prishtinë, 11 tetor 2023 –  Shtetet e Bashkuara ia kanë dhuruar Policisë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës shtatë dronë të mërkurën, të cilët do t’i shërbejnë kësaj force për misione vëzhguese dhe taktike, sipas ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për donacionin, ambasadori Hovenier tha se ndihma më e fundit e SHBA-së për institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë shpreh përkushtimin afatgjatë të SHBA-s për zhvillimin e Policisë së Kosovës.

“Kjo është dëshmi shtesë e besimit të SHBA-së ndaj Kosovës për kryerjen e misioneve të pavarura në luftë kundër narkotikëve dhe zbatim të ligjit”, tha Hovenier.

Donacioni amerikan për Policinë e Kosovës vjen rreth tri javë pasi ajo u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator.

“Duke e parë shkallën e aktiviteteve kriminale të grupeve të organizuara në rajon, këto mjete fluturuese pa pilotë do të jenë një burim jetik i organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë për të luftuar veprimtarit kriminale në tokë dhe në ajër”, shtoi Hovenier.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se Policia do të mundohet t’i përdorë dronët e dhuruar nga SHBA-ja në mënyrën më të mirë të mundshme, për të forcuar sigurinë për qytetarët në gjithë Kosovën.

“Donacioni do të ndikojë pozitivisht në ngritjen e kapaciteteve të policisë për të menaxhuar situata në terren, përfshirë monitorimin e kufijve të Kosovës dhe operacionet tjera të hetimit që Policia e Kosovës do t’i kryejë në të ardhmen”, tha Hoxha.

Policia e Kosovës përdori dronë për ta vëzhguar lëvizjet dhe veprimet e grupit të armatosur serbe që kreu sulmin në Banjskë. Përmes dronëve u bë edhe identifikimi i udhëheqësit të grupit dhe organizatorit të sulmit, Millan Radoiçiq, i cili më vonë e mori përgjegjësinë për sulmin.

Autoritetet e Kosovës thanë se prapa sulmit, të cilin e cilësuan si “tentim për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës”, qëndron shteti i Serbisë. Autoritetet e Serbisë i hodhën poshtë këto akuza, ndërsa tre serbët e vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë e Kosovës, i nderoi si heronj.

Më 3 tetor, Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që kotrollohet nga Beogradi, u arrestua në Serbi, por në ditë më vonë u lirua nga arresti.

Aautoritetet e Kosovës kërkojnë ekstradimin e Radoiçiqit dhe gjykimin e tij në Kosovë. Kjo kërkesë është hedhur poshtë kategorikisht nga President ii Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka quajtur Radoiçiqin si “mbrojtës” të serbëve të Kosovës nga “terrori” i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

(r.m.)