SHBA-ja kërkon largimin e bllokadave dhe shtendosjen e situatës në veriun e Kosovës

Prishtinë / Beograd, 11 dhjetor 2022 – Ambasadat amerikane në Prishtinë dhe në Beograd bënë thirrje të dielën që të hiqen të gjitha bllokadat në rrugët e veriut të Kosovës dhe të punohet për shtensionimin e situatës në zonë.

Në një deklaratë të përbashkët thuhet se Shtetet e Bashkuara shprehin shqetësimin e tyre të thellë për situatën aktuale.

“Ne e kuptojmë se autoritetet e Kosovës kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve të Kosovës dhe popullatës lokale”, thuhet në deklaratë.

“Ata që ngritën bllokada të paligjshme duhet t’i heqin ato menjëherë. Ne presim që t’u jepet fund të gjitha kërcënimeve për dhunë dhe frikësimit”, thuhet në deklaratë në të cilën u shprehet mirënjohje dhe mbështetje forcave të NATO-s për përpjekjet e tyre për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit.

“Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë së Kosovës dhe ato ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë në të cilënu bëhet thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur një shtensionim të situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese.

“Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për të zgjidhur çështjet shqetësuese”, përfundon deklarata e përbashkët e ambasadave amerikane në Kosovë dhe Serbi.

Për të dytën ditë me radhë grupe serbësh po mbajnë të bllokuara rrugët në veri në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të një ish pjesëtari të policisë , nën dyshimet për përfshirje në një sulm në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zonë dhe pjesëtarëve të policisë.

(Zëri i Amerikës)