SHBA-ja pranon kërkesën e Kosovës për blerjen e raketahedhësve “Javelin”

Beograd, 11 janar 2024 – SBA-ja e ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketahedhësve anti-tank “Javelin”.

Ky lajm është publikuar nga kabineti i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Christopher Hill.

Sipas komunikatës, ambasadori Hill e ka njoftuar Vuçiqin se Departamenti i Shtetit do t’ia përcjellë kërkesën e Kosovës Kongresit Amerikan, i cili do ta fillojë procedurat zyrtare.

Vuçiq citohet të ketë thënë se ky informacion “është një zhgënjim i madh për Serbinë”.

Por, vetë Vuçiq është shprehur “për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe për forcimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis Serbisë dhe SHBA-së”,

“Ne diskutuam edhe për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, për situatën në Kosovë dhe për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si edhe për zhvillimet aktuale gjeopolitike. Konfirmuam përkushtimin tonë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Christopher Hill dhe Aleksandar Vuciq

Christopher Hill dhe Aleksandar Vuciq

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka thënë se blerja e raketahedhësve “Javelin” është paraparë në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“FSK-ja është duke i ngritur kapacitetet e saj ushtarake, dhe, në këtë aspekt, ekziston një marrëveshje ushtarake e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që funksionon në kuadër të programit FMS, që blerjet të realizohen nëpërmjet këtij programi. Dhe, në këtë aspekt, janë të përfshirë edhe raketa Javelin dhe disa sisteme të tjera moderne të armatimit”, ka thënë Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për Radion Evropa e Lirë

Programi FMS (shitjet e huaja ushtarake) është një program i ushtrisë amerikane për të ofruar ndihmë të sigurisë dhe është një “mjet thelbësor i politikës së jashtme amerikane”, thuhet në ueb-faqen e Agjecisë amerikane për bashkëpunim në siguri. Sipas këtij programi, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare, që quhet Letër e Ofertës dhe Pranimit.

Gjatë vitit të kaluar, kërkesa për sistemin Javelin është rritur. Në ueb-faqen e prodhuesit të këtyre armëve, Lockheed Martin, thuhet se po dyfishojnë prodhimin aktual “nga 2.100 copë në 3.960 copë në vit deri në vitin 2026”, siç janë pajtuar në bazë të kontratës së re me ushtrinë amerikane.

Po ashtu, thuhet se 13 shtete në Evropë e përdorin këtë sistem dhe ndër shtetet e fundit janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Ukraina u furnizua me sistemet kundërtanke nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri në fund të tetorit 2022, SHBA kishte dorëzuar 8.500 raketa Javelin në Ukrainë, ekuivalente me prodhimin e saj katërvjeçar.

(r.m.)