Uashington, 8 janar 2026 – Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Urdhrin Ekekutiv për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga 66 organizata ndërkombëtare, të cilat administrata er presidentit Trump i konsideron si “joefektive dhe të dëmshme”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se këto organizata janë “antiamerikane, të padobishme ose shpërdoruese”. Ai ka thënë se administrata e Prwesidentit Trump do të vazhdojë me shqyrtimin e organizatave të tjera ndërkombëtare, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 14199.
“Sot, Presidenti Trump njoftoi se SHBA-të po largohen nga 66 organizata ndërkombëtare antiamerikane, të padobishme ose shpërdoruese. Rishikimi i organizatave të tjera ndërkombëtare mbetet në vazhdim”, ka shkruar ai.
Këto tërheqje ishin premtim kyç që Presidenti Trump u bëri amerikanëve – ne do të ndalojmë subvencionimin e burokratëve globalistë që veprojnë kundër interesave tona. Administrata Trump do ta vërë gjithmonë Amerikën dhe amerikanët në radhë të parë”, ka shkruar Rubio në platformën X.
Sekretari Rubio shtoi se me këtë tërheqje po materializohet premtimi kyç i presidentit Trump se do të “ndalojë subvencionimin e burokratëve globalistë që veprojnë kundër interesave tona. Administrata Trump do ta vendosë gjithmonë Amerikën dhe amerikanët në radhë të parë”.
Në mesin e 66 organizatave ndërkombëtare nga të cilat u tërhoqën Shtetet e Bashkuara janë edhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunale Penale (pasardhësi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë), UN Women dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Në këtë të fundit, Kosova bën pjesë, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe kjo organizatë synon forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore dhe synon afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.
Në Komisionin e Venecias që është trup këshillues për çështje kushtetuese dhe jep rekomandime për parlamentet dhe qeveritë. SHBA-ja ishte vëzhguese e jo anëtare.
SHBA-ja është tërhequr edhe nga disa organizata të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Departamentin për Çështje Ekonomike dhe Sociale, Qendrën Botërore të Tregtisë, Komisionin e Ligjit Ndërkombëtar, Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm për Fëmijë në Konflikte të Armatosura, Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm për Dhunën Seksuale në Konflikt, Fondi i OKB-së për Demokraci dhe një sërë organizatash dhe traktatesh ndërkombëtare.
“Nuk do të vazhdojmë të shpenzojmë burime, kapital diplomatik dhe peshën legjitimues të pjesëmarrjes sonë në institucione që janë të parëndësishme për interesat tona ose bien ndesh me to. Ne e refuzojmë inercinë dhe ideologjinë në favor të maturisë dhe qëllimit. Ne kërkojmë bashkëpunim aty ku ai u shërben njerëzve tanë dhe do të qëndrojmë të palëkundur aty ku nuk ndodh”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë
SHBA-ja tha se po vazhdon rishikimi i organizatave të tjera ndërkombëtare.
Ky vendim i presidentit Trump pasqyron mosbesimin e tij të kamotshëm ndaj institucioneve multilaterale, veçanërisht Kombeve të Bashkuara. Ai ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje efektivitetin, koston dhe llogaridhënien e organizatave ndërkombëtare, duke argumentuar se ato shpesh nuk i shërbejnë interesave të Shteteve të Bashkuara.
(r.m.)