SHBA kërkon që vrasësit e vëllezërve Bytyqi të nxirren para drejtësisë

Beograd, 7 korrik 2023 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Serbisë që të nxjerrë para drejtësisë autorët e vrasjes së vëllezërve Bytyqi dhe ata që e kanë mbuluar këtë krim makabër.

Vëllezërit shqiptaro-amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi janë vrarë sot 24 vjet nga policia serbe.

“Sërish i bëjmë thirrje Serbisë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të kërkojë llogari nga ata që e kanë kryer dhe e kanë mbuluar këtë akt brutal. Ne do ta vazhdojmë këtë thirrje derisa drejtësia të vihet në vend”, ka shkruar në Twitter zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, ka kërkuar nga autoritetet e Serbisë që të nxjerrin para drejtësisë autorët dhe përgjegjësit e këtij krimi.

“Kanë kaluar 24 vjet që kur shtetasit amerikanë Ilir, Mehmet dhe Agron Bytyqi u ekzekutuan derisa ishin të paraburgosur nga policia speciale serbe. Çdo vit që kalon pa u mbajtur askush përgjegjës për këtë krim brutal lufte është një fyerje ndaj shtetit të së drejtës. SHBA-të i bëjnë sërish thirrje Serbisë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të nxjerrë para drejtësisë ata që kanë kryer dhe kanë mbuluar këto vrasje. Ne do të vazhdojmë këtë thirrje deri në vendosjen e drejtësisë”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së në Serbi, në Twitter.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi janë vrarë më 7 korrik të vitit 1999. Ata ishin arrestuar në korrik të vitit 1999, pas mbarimit të luftës në Kosovë, kur e kishin kaluar gabimisht kufirin dhe kishin hyrë në Serbi. Nga sa dihet deri tash, një gjykatës kishte marrrë vendim për lirimin e tyre nga paraburgimi, por pjesëtarë të një njësie të policisë serbe për operacioneve speciale i kanë ekzekutuar nga afërsia dhe i kanë groposur në një varr masiv.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi ishin shtetas amerikanë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar vazhdimisht që përgjegjësit për vrasjen e tyre të vihen para drejtësisë.

Autoritetet serbe nuk kanë ngritur asnjë akuzë ndaj personave që kanë qenë pjesë e strukturës komanduese të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe që kanë pasur lidhje me këtë krim.

(r.m.)