SHBA: Kosova tregoi lidership në nivel global, me vendimin për afganët

Prishtinë, 17 gusht 2021 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të ofrojë strehë për afganët që kanë bashkëpunuar me forcat amerikane gjatë misionit gati 20 vjeçar në Afganistan.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Kosova tregoi edhe një here “lidership në nivel global”.

“Falënderimet e mia më të thella në emër të Shteteve të Bashkuara për Qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë tuaj që t’iu ofroni strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jete të re. Edhe një herë, Kosova tregon lidership në nivel global”, ka shkruar ambasadori Kosnett në rrjetin social Twitter.

Qeveria e Kosovës të hënën në mbrëmje e miratoi kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme për t’u ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme afganëve të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, tëcilët tash ndihen të pasigurtë, pasi kontrollin në Afganistan e morën talibanët.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se strehimi i afganëve, përveç aspektit human, e ka edhe dimensionin e aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tha se kjo është edhe çështje e sigurisë.

Kurti tha se detajet e strehimit të qytetarëve afganë në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara.

(r.m.)