SHBA: Ndryshime lidhur me kërkesat për strehim politik në kufi

Ndryshime të mëdha së shpejti për ata që udhëtojnë nga vende të tjera drejt kufirit të SHBA-së

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Gjatë viteve të fundit, mundësia për të kërkuar mbrojtje në kufirin jugor të SHBA-së ka njohur kufizime të forta. Këto kufizime kanë qenë fryt i një kombinimi politikash, praktikash dhe rregulloresh të ndryshme. Së bashku ato i kanë krijuar pengesë procesit të rregullt të aplikimit për azil nga ana e emigrantëve, që është diçka e padrejtë, çnjerëzore dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe amerikane të vendosura prej kohësh për refugjatët. Jemi bërë dëshmitarë të një numri të paparë migrantësh nëpër të gjithë globin si dhe një numri të paparë vdekjesh mes migrantësh rrugës apo në kufijtë tanë, në një kohë kur përpjekjet për të vënë migrimin nën kontroll janë bërë shkak që migrantët të gjejnë rrugëkalime akoma më të rrezikshme.  

Rregullorja e propozuar nga Presidenti Biden:

Administrata e presidentit Biden ka propozuar një urdhëresë e cila synon të inkurajojë përdorimin e rrugëve të tjera përveç asaj të kërkimit të azilit në mënyrë të ligjshme në kufirin jugor. Kjo urdhëresë e propozuar vlen vetëm për azilkërkuesit të cilët, pas daljes nga fuqia më 11 maj, 2023, të nenit 42 dhe në periudhën dy-vjeçare gjatë së cilës rregullorja hyn në fuqi, futen në kufirin jug-perëndimor pa dokumentat e duhura si dhe kanë udhëtuar nëpër një vend në të cilin mund të kishin kërkuar strehim politik. Neni presupozon që dikush nuk kualifikohet për azil përveçse nëse: i është aprovuar leja për të hyrë përpara mbërritjes në kufi, është paraqitur vetë në pikën e hyrjes në vendin dhe kohën e caktuar ose kërkoi strehim politik në një vend permes të cilit udhëtoi dhe kërkesa iu hodh poshtë përfundimisht. Rregullorja e propozuar krijon një sistem kompleks për të kapërcyer presupozimin në fjalë, ku mes të tjerash duhet treguar që “egzistojnë rrethana jashtëzakonisht bindëse si probleme shëndetësore urgjente dhe të një natyre akute, kërcënim ekstrem dhe i menjëhershëm i jetës dhe sigurisë (si përdhunimi, rrëmbimi, tortura ose vrasja) dhe prova që kemi të bëjmë me një “viktimë të një forme të rëndë trafikimi njerëzish”. Sipas rregullores së propozuar, është zyrtari i emigracionit personi që vendos nëse azilkërkuesi ka arritur të tregojë që në rastin e tij/saj nuk vlen presupozimi i lartpërmendur. Nëse jo, pra nëse azilkërkuesi nuk ka arritur të provojë që kualifikohet për azil, atij ose asaj i vjen përgjigje negative lidhur me pretendimet se kanë frikë të kthehen në vendin nga kanë ardhur. Në atë rast, zyrtari i emigracionit do të vendosë nëse azilkërkuesi ka treguar se egziston mundësia që ky i fundit të persekutohet apo torturohet dhe shanset që kjo të ndodhë janë të mjaftueshme. Fatkeqësisht, në këtë stad, shumë rrallë azilkërkuesit kanë dikë që t’i përfaqësojë nga ana ligjore. 

Administrata e presidentit Biden po përballet me një sfidë të mirëfilltë në kufirin jugor. Është ky rajon ai ku mbërrijnë azilkërkuesit që janë më vulnerabël, mes të cilëve përfshihen dhe ata që nuk kanë mundësi të marrin një biletë avioni për të ardhur në SHBA përmes programit të vendosur së fundmi që ka të bëjë me lejet për të hyrë. Megjithatë, rregullorja e propozuar nuk është përgjigje për këto sfida. Kjo rregullore e propozuar e bën, pa qenë nevoja, edhe më të komplikuar procesin e kërkimit të azilit politik duke krijuar pengesa akoma më të pakapërcyeshme sidomos për ata që nuk kanë me kë të këshillohen nga ana ligjore. 

Situata aktuale

Neni 42 do të jetë në fuqi deri më 11 maj, 2023, koha kur administrata e presidentit Biden do t’i japë fund urdhrit për gjendje emergjence për shkak të COVID-it. “Neni 42” i referohet një urdhërese që ka të bëjë me COVID 19-ën dhe sipas së cilës nuk u lejohet hyrja dhe lejohet dëbimi i atyre personave, pa ofruar mbrojtje normale për ata që kanë ikur për shkak të persekutimit, në kufirin jugor nëse egziston “rrezik serioz që të fusin sëmundjen në SHBA”. Bëjnë përjashtim një grup i madh njerëzish si nënshtetasit amerikanë, personat me green card, si dhe kushdo që ka dokumenta të vlefshëm udhëtimi, por nuk bëjnë përjashtim personat që kërkojnë strehim politik dhe mbrojtje nga SHBA-ja. Neni 42 prek azilkërkuesit në kufirin jugor dhe vepron përmes dy mekanizmave: 1) “kthimet mbrapsht” të azilkërkuesve përpara se të prekin tokën amerikane dhe 2) “dëbimet” e azilkërkuesve pasi kanë prekur tokën amerikane. 

“Kthimet mbrapsht” sipas nenit 42 prekin të gjitha kombësitë në të gjitha pikat kufitare jugore (POE). Mënyra e vetme që dikush të lejohet të kërkojë azil në pikën hyrëse kufitare është të kërkojë paraprakisht të “falet” nga neni 42, kërkesë kjo që mund të bëhet nëpërmjet aplikacionit CBP One.

Neni 42 “dëbimet”. “Dëbimet” sipas nenit 42 ndodhin kur një azilkërkues kapet në tokën amerikane pasi ka kaluar pikën hyrëse kufitare. Dëbimet janë të tilla që ndodhin shpejt dhe zakonisht nënkuptojnë marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimin e personit. Personave që dëbohen nuk u jepet ai që quhet numri “A”. Personat që i nënshtrohen nenit 42 nuk kanë të drejtë të kërkojnë strehim politik, por nëse shprehin frikë se në rast dëbimi, mund t’i torturojnë në vendin nga kanë ardhur, atëherë mund të kërkojnë mbrojtje siç parashikon “Konventa Kundër Torturës” (CAT). Procesi i verifikimit të vërtetësisë së asaj që pretendon azilkërkuesi është edhe më rigoroz se zakonisht. 

Jo të gjithë azilkërkuesit që vijnë nga vende që preken nga neni 42, dëbohen nga SHBA-ja. Kjo për shkak të kufizimeve në numrin e dëbimeve në ditë, kombësive të përziera që kanë familjet, kufizimeve logjistike, përjashtimeve për arsye humanitare  si dhe faktorëve të tjerë. Jonënshtetasve që kërkojnë “falje” nga neni 42, në përgjithësi u lëshohet njoftimi për të dalë në gjyq (Notice to Appear) si dhe lirim me kusht për një vit sipas nenit 212(d)(5) për një vit si dhe kualifikohen për të marrë leje për të punuar. Azilkërkuesit nga vende që nuk janë subjekt dëbimesh sipas nenit 42, shpesh futen nga pika tokësore që gjenden ndërmjet POE-ve – shpesh gjatë ditës – me synimin për “t’u dorëzuar vetë” dhe për t’i kërkuar zyrtarëve të pikave kufitare, strehim politik.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]