SHBA ngre akuza ndaj oligarkëve të sanksionuar rusë

Uashington, 22 shkurt 2024 – Departamenti amerikan i Drejtësisë më 22 shkurt bëri të ditur për ndërmarrjen e veprimeve ligjore në pesë raste të ndara federale kundër oligarkëve të sanksionuar rusë dhe rrjeteve që mbështesin Rusinë.

Veprimet, që përkojnë me dyvjetorin e nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, përfshijnë ngritjen e akuzave kundër kreut të bankës shtetërore ruse VTB, Andrei Kostin, dhe dy bashkëpunëtorëve të tij me seli në SHBA, tha Departamenti.

Akuzat u ngritën në Nju Jork kundër Kostin dhe bashkëpunëtorëve të tij, Vadim Wolfson dhe Gannon Bond, të cilët u arrestuan.

Kostin, që është nën sanksione të SHBA-së, për një kohë të gjatë është president i Bankës VTB, që është banka e dytë më e madhe në Rusi. Ai po akuzohet se është përfshirë në një skemë për shmangie të sanksioneve dhe pastrim të parave për të mbështetur dy superjahte. Kostin dhe dy bashkëpunëtorët e tij po ashtu akuzohen se kanë tentuar të shmangin sanksionet e lidhura me një shtëpi luksoze në shtetin amerikan të Kolorados.

Michael Khoo nga Departamenti i Drejtësisë, i tha gazetarëve se ky njoftim nënkupton dërgimin e mesazhit të presidenti rus, Vladimir Putin, se “ne nuk do të largohemi” dhe ne “po ashtu mund të luajmë lojën e gjatë” për aq kohë sa lufta të vazhdojë.

Veprimet e tjera të ndërmarra më 22 shkurt po ashtu përfshijnë ngritjen e një aktakuze në Floridë ndaj një oligarku ukrainas pro-rus, Serhiy Kurchenko, për shkak të dyshimeve se ai është i lidhur me një skemë të shkeljeve dhe shmangieve të sanksioneve amerikane.

Po ashtu në Floridë, agjentët federalë kanë ngritur një kërkesë civile për konfiskimin e dy ndërtesave luksoze që i përkasin biznesmenit të sanksionuar rus, Viktor Perevalov, i cili është bashkëpronar në një kompani ndërtimore në Rusi.

Departamenti amerikan i Drejtësisë po ashtu njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj Vladislav Osipov, i cili akuzohet për mashtrime bankare në lidhje me operimin e një jahti të oligarkut të sanksionuar rus, Viktor Vekselberg. Osipov, me shtetësi ruse, jeton në Zvicër.

Në aktakuzë thuhet se bëhet fjalë për superjahtin Tango, që i takonte oligarkut të sanksionuar i cili kishte lidhje të ngushta me Kremlinin. Jahti u konfiskua me kërkesë të Qeverisë amerikane pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Departamenti i Drejtësisë tha po ashtu se Feliks Medvedev është deklaruar fajtor më herët gjatë këtij muaji për ndihmën që kishte dhënë për pastrimin e mbi 150 milionë dollarëve përmes llogarive bankare që ai kontrollonte. Mevedev, shtetas rus, jeton në shtetin amerikan të Xhorxhias.

Përmes një deklarate, prokurori i Përgjithshëm, Merrick B. Garland, tha se Departamenti i Drejtësisë “është më i përkushtuar se kurrë për të ndalur rrjedhjen e fondeve ilegale që po financojnë luftën e Putinit dhe për të mbajtur përgjegjës të gjithë ata që vazhdojnë të ndihmojnë Putinin”.

(REL)