Beograd, 15 nëntor 2025 – Ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Dubravka Dedoviq-Handanoviq, ka bërë të ditur se nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka marrë kërkesë për largimin e aksionarëve rusë nga Industria e Naftës e Serbisë (NIS).
“Pas kërkesës së NIS-it, për herë të parë është thënë qartë dhe pa ekuivok se duan një ndryshim të plotë të aksionarëve rusë, që do të thotë se kërkohet tërheqja e tyre nga pronësia”, ka thënë ajo.
Ministrja theksoi se Serbia po përballet me vendime të jashtëzakonshme në një situatë gjeopolitike shumë të ndërlikuar. Sipas saj, Serbia është përfshirë në një konflikt politik dhe gjeopolitik pa qenë fajtore ose e detyruar dhe tani po përballet me pasojat.
Ministrja serbe njoftoi se Departamenti i Thesarit i SHBA-së e ka miratuar një licencë tremujore për NIS, për t’u dhënë pronarëve të kompanisë kohë për të kërkuar një blerës.
“Është marrë një miratim për negociatat e pronësisë… deri më 13 shkurt”, tha ajo.
Por, konfirmoi se kompania NIS dhe rafineria e saj e naftës nuk do të lejohen të operojnë ndërkohë.
Bankat e kanë ndaluar përpunimin e pagesave të NIS, kurse tubacioni JANAF i Kroacisë ka ndaluar furnizimin e NIS me naftë bruto. Pa furnizime të reja me naftë, rafineria e NIS mund të operojë vetëm deri më 25 nëntor.
(r.m.)