SHBA: Nuk ka shenja se Rusia është e interesuar t’i japë fund agresionit në Ukrainë

Uashington, 22 tetor 2022 – Shtetet e Bashkuara do të marrin në konsideratë të gjitha mjetet për të avancuar diplomacinë me Rusinë nëse shikojnë një mundësi të tillë, por për momentin Moska nuk po tregon shenja të dëshirës për t’u angazhuar në bisedime domethënëse, tha të premten Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

“Të gjithë treguesit janë se jo vetëm që i qëndron larg vullnetit për t’u angazhuar në diplomaci domethënëse, por se Presidenti Putin vazhdon të lëvizë në drejtimin e kundërt”, tha Sekretari Blinken gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologen franceze Catherine Colonna.

“Ne marrim dhe do të marrim në konsideratë të gjitha mjetet për të avancuar diplomacinë, nëse shohim një hapësirë për ta nxitur me çfarëdo mjeti, dhe sigurisht që do ta shqyrtojmë atë”, tha ia, por shtoi se Moska po vazhdonte të mbështetej gjithnjë e më shumë tek agresioni i saj.

Rusia ka përshkallëzuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe energji të Ukrainës këtë javë, në një fushatë që Perëndimi tha se synon të frikësojë civilët përpara ardhjes së një dimri të ftohtë.

Më herët këtë javë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha në një intervistë se Rusia ishte e gatshme të angazhohej me Shtetet e Bashkuara ose me Turqinë për mënyrat për t’i dhënë fund luftës, që ka hyrë tashmë në muajin e tetë, por se nuk kishte marrë ende një propozim serioz për të negociuar.

Konflikti më i madh në Evropë prej dekadash po krahasohet me krizën e raketave në Kubë të vitit 1962, që e solli botën në pragun e luftës bërthamore dhe ngriti pikëpyetje nëse Uashingtoni dhe Moska duhet të angazhohen në bisedime për të shmangur zgjerimin e mëtejshëm të luftës, përfshirë një përballje bërthamore.

Sekretari Blinken dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë thënë në mënyrë të përsëritur se Moska nuk ka treguar interes për një diplomaci domethënëse.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin pati të premten bisedën e parë telefonike që nga muaji maj me homologun rus, Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu, dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së linjave të komunikimit ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë, thuhet në një deklaratë të Pentagonit.

Gjatë një fjalimi të regjistruar paraprakisht në këshillin rus të sigurisë, Presidenti Putin u dha më shumë kompetenca guvernatorëve rajonalë të Rusisë dhe urdhëroi ngritjen e një këshilli koordinues të drejtuar nga Kryeministri Mikhail Mishustin, për të mbështetur atë që ai e quan “operacion i posaçëm ushtarak”.

(Zëri i Amerikës)