SHBA: Serbia po grumbullon forca ushtarake në kufi me Kosovën

Zëdhënësi i Këshilltarit Kombëtar për Sigurinë thotë se SHBA po i mban në vëzhgim veprimet dhe i bën thirrje Beogradit që të tërhiqet

Nga Ruben Avxhiu

Zëdhënësi i Këshilltarit Kombëtar për Sigurinë pranë Presidentit Joe Biden, John Kirby, ka deklaruar se SHBA po vëzhgon një prani në rritje të ushtarake serbe në kufi me Kosovën.

Si raporton korrespondentii Nick Schifrin, i kanalit televiziv PBS, Kirby ka komentuar mbi sulmin ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit, ku sulmuesit kanë qenë të pajisur me armë e municione të nivelit ushtarak. Serbët e armatosur kanë pasur një “nivel trajnimi shumë të lartë e të sofistikuar”.

Zyrtari i lartë i sigurisë amerikane ka thënë se një sulm i tillë nuk mund të jetë i rastësishëm dhe se këto lloj armësh dëshmojnë rrezikun që i kanoset Kosovës dhe personelit ndërkombëtar.

“Jemi duke vëzhguar një grumbullim të madh serb përgjatë kufirit të Kosovës”, duke përfshirë edhe “një rreshtim të paparë përpara të artilerisë, tankeve, dhe ushtarëve në shërbim,” tha zëdhënësi Kirby.

“I bëjmë thirrje Sërbisë që të tërheqë këto forca”.

“Thjesht nisur nga vendosja, sasia, dhe prania mjafton të shkaktojë destabilizim”, shtoi ai. “Dhe po sjell shqetësim te njerëzit përfshi edhe te ne”.