SHBA sërish shpreh keqardhje për mospjesëmarrjen e partive serbe në zgjedhje

Uashington, 23 prill 2023 – Shtetet e Bashkuara sërish shprehën keqardhje që partitë serbe nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, që u mbajtën më 23 prill.

“Ne përkrahim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse dhe shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Është për të ardhur keq që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatës që iu shërbejnë. Votimi është një liri e rëndësishme e shoqërive demokratike”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Në deklartë thuhet se SHBA-ja i mirëpret përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për administrimin e zgjedhjeve, në mënyrë që qytetarët të mund të ushtronin të drejtën e tyre të votës “duke ulur pikat e mundshme të tensionit”.

“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm”, thuhet në deklaratë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje serbëve të bojkotojnë procesin zgjedhor, sikurse bëri më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nga 10 kandidatë për kryetarë të komunave, vetëm një ishte pjesëtar i komunitetit serb. Një tjetër kandidat u tërhoq nga gara vetëm tri ditë para votimit, me arsyetim se nuk ka kushte për zgjedhje demokratike në katër komunat veriore të Kosovës.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet për kryetar të komunës në Mitrovicën Veriore dhe në Leposaviq, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës ka fituar zgjedhjet për kryetar të komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, i cili u zhvillua pa asnjë incident, Lista Serbe tha se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje.

(r.m.)