SHBA shpreh shqetësimin për përpjekjet që të kufizohet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale

Prishtinë, 21 gusht 2025 – E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka thënë të enjten se kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ia ka shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.

Duke folur për gazetarë pas një takimi me Kurtin në Prishtinë, Prattipati tha se me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje ka biseduar për përpjekjet që disa parti politike të mos lejohen të marrin pjesë në zgjedhje.

“Ne kuptojmë se kryeministri në detyrë dhe Vetëvendosje po shqyrtojnë t’i përjashtojnë disa parti politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme lokale”, tha ajo.

Diplomatja amerikane theksoi se të gjithë qytetarët duhet të kenë mundësi t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Ajo theksoi gjithashtu se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, duke shtuar

“Që të jemi të qartë, ne besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi”, theksoi Prattipati.

“Fola për këto çështje me kryeministrin në detyrë dhe i theksova vëmendjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje”, theksoi ajo.

Prattipati u takua me Kurtin një ditë pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministër në detyrë i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se partitë oponente të Vetëvendosjes kanë raporte të mira me partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listën Serbe, dhe se ato do të “kontribuojnë në certifikimin e saj për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale”.

Takimi u zhvillua vetëm pak orë para takimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku pritet të shqyrtohet certifikimi i partive për pjesëmarrje në zgjedhje, mes tyre edhe i Listës Serbe.

Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e kishte certifikuar atë fillimisht.

Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend.

Vetëvendosje e kishte arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, “Kosova dhe Metohia”.

Ndër arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga Vetëvendosja është edhe fakti se partia serbe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra një polic kosovar më 2023.

Lista Serbe u themelua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë ka pasur mbështetje për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor. Nga 38 komuna sa ka Kosova, 10 prej tyre janë të banuara me shumicë serbe, kryesisht në veri dhe disa në pjesë të tjera të vendit.

(r.m.)