SHBA shprehet e zhgënjyer për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës

Uashington, 5 gusht 2024 – Qeveria amerikane ka thënë se është thellësisht e zhgënjyer me ato që i ka cilësuar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në deklaratë i bëhet thirrje Qeverisë së Kosovës që t’iu japë fund veprimeve të njëanshme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për t’i zgjidhur çështjet e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Policia e Kosovës njoftoi të hënën se ka kryer kontrolle dhe ka mbyllur nëntë degë të Postës së Serbisë, që vepronin pa licencë në veri të Kosovës, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit.

Policia tha se operacioni u krye me kërkesë të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, institucion ky që është përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e ofrimit të shërbimeve postare në Kosovë.

Ky autoritet tha se objektet postare të Serbisë vepronin në mënyrë jolegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse

(r.m.)