SHBA sulmon Iranin ndërsa Trump bën thirrje për përmbysjen e qeverisë

Një numër shpërthimesh kanë nodhur sot në Teheran, ndërsa Presidenti Donald Trump deklaroi me anë të një videoje tetëminutëshe se Shtetet e Bashkuara kishin nisur një sulm të madh ndaj Iranit, duke u zotuar se do të shkatërronin kapacitetet ushtarak të vendit, do të eliminonin programin e tij bërthamor dhe do të sillnin një ndryshim të qeverisë.

Banorët nga kryeqyteti Iranian tregojnë se po shohin tym që ngrihej nga zona ku ndodhen pallati presidencial dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Izraeli njoftoi gjithashtu se kishte nisur sulmin e tij ndaj Iranit të shtunën në mëngjes, në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Televizioni shtetëror iranian njoftoi se forcat e armatosura të Iranit po përgatiteshin për kundërpërgjigje.

Presidenti Trump, në një video ku shpalli “operacione të mëdha luftarake”, u zotua se do ta “rrafshonte industrinë e tyre të raketave” dhe do ta “asgjësonte marinën e tyre”, duke argumentuar se Irani kishte refuzuar të pranonte një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara që do ta kishte shmangur luftën. Ai më pas u bëri thirrje iranianëve që ta përmbysnin qeverinë e tyre pasi operacioni ushtarak amerikan të përfundonte. “Kjo ndoshta do të jetë mundësia juaj e vetme për një brez,” tha ai.

Zyrtarë amerikanë thanë se presin që sulmet kësaj here të jenë shumë më të gjera se sulmi amerikan i qershorit të kaluar, i cili kishte në shënjestër vetëm tre objekte bërthamore iraniane. Dhjetëra sulme amerikane po kryhen nga avionë luftarakë që nisen nga baza dhe aeroplanmbajtëse në të gjithë Lindjen e Mesme, tha një prej zyrtarëve amerikanë.

Nuk ishte menjëherë e qartë se cilat objektiva kishin goditur deri tani sulmet amerikane dhe izraelite, por një zyrtar amerikan tha se fushata mund të zgjasë disa ditë.

Shpërthime u dëgjuan edhe në qytete të tjera në mbarë Iranin, përfshirë Isfahanin dhe Karajin, sipas agjensisë gjysmëzyrtare të lajmeve Fars. Në Izrael, sirenat e alarmit ajror u dëgjuan në të gjithë vendin ndërsa përgatitej për një kundërpërgjigje të mundshme.

Comment

*