Shefi i komisariatit të Laçit arrestohet për lidhje me trafikantë droge

Tiranë, 9 tetor 2023 – Policia e Shtetit njoftoi mbrëmjen e të hënës rezultatet e një operacioni antidrogë të quajtur “Flakë në det” të zhvilluar me 15 gusht, bilanci të cilit u përmbyll me arrestimin e shefit të Komisariatit të Policisë Laç, Dritan Metaj dhe shpalljen në kërkim të tre trafikantëve, një prej të cilëve Gëzim Çelaj, banues në Fushë Kuqe, i quajtur më parë edhe si “Baroni i drogës”. Gjatë operacionit afro dy muaj më parë u arrestuan në flagrancë edhe katër shtetas shqiptarë dhe dy ukrahinas.

Sipas policisë, megaoperacioni filloi atëherë pas informacioneve të marra nga strukturat në terren për lëvizjen e një mjeti lundrues të shpejtë nga laguna e Patokut, në drejtimin jug-perëndim. Mjeti lundrues ka kontaktuar në det në një distancë 12 milje, një tjetër mjet lundrues të llojit velierë dhe dyshohet se personat që gjendeshin në këto mjete respektive kanë shkëmbyer lëndë narkotike.

Kur katër shtetasit shqiptarë dhe dy ukrahinasit që janë ndodhur në velierë kanë konstatuar se ishin të rrethuar nga forcat policore, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe me një barkë të vogël shpëtimi kanë tentuar të largohen, por janë kapur në flagrancë.

Në të njëjtën kohë është ndërhyrë edhe në ambientet e një lokali në lagunën e Patokut, ku qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike.

Policia thotë se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, një shumë e madhe parash në valuta të ndryshme, 25 celularë dhe sende të tjera. Gjithashtu, janë sekuestruar 23 kg lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa që është gjetur në det, në afërsi të vendit ku u fundos veliera e djegur dhe një mjet lundrues gomone, bashkë me GPS.

Nga hetimet e kryera në vijim në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata krimianle  dhe grupi i strukturuar kriminal”, për shtetasit Gëzim Çelaj, banues në Fushë Kuqe; Arben Dalipaj, banues në Vlorë; Roland Guza, banues në Durrës dhe Dritan Metaj, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Laç, ky i fundit i arrestuar të hënën. Ndërsa tre të tjerët që janë identifikuar si të përfshirë në këtë tentativë trafiku droge kanë arritur t’u shpëtojnë prangave dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia sqaron se po vijon puna për sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të shtetasve Gëzim Çelaj, Nderim Çelaj, Arlind Ismailukaj dhe personat e tjerë të lidhur me ta, ku mes pasurive të identifikuara është një shoqëri tregtare, automjete, mjete lundruese dhe asete të tjera.

Në vitin 2015, Çelaj u akuzua për trafik ndërkombëtar droge. Ai dyshohej si kreu një grupi të strukturuar që trafikonte lëndë narkotike që mbërrinte prej Turqisë përmes Bullgarisë drejt Shqipërisë e Kosovës dhe më pas me destinacion përfundimtar vendet e Evropës Perëndimore. Në vitin 2020 Çelaj ishte një prej subjekteve të Operacionit Forca e Ligjit, OFL, që kishte si qëllim goditjen e krimit të organizuar përmes sekuestrimit të pasurive.

(Reporter.al)