Shefja e misionit të PE-së në Serbi: “Morëm raporte shqetësuese. Kërkojmë hetim”

Beograd, 23 janar 2026 – Marta Temido, shefe e delegacionit të Bashkimit Evropian që e vizitoi Serbinë, tha se ky mision mori “raporte shqetësuese për shtypje dhe presion” dhe kërkoi hetim transparent.

“Kemi marrë raporte shqetësuese për shtypje, përfshirë mbikëqyrjen. Ne bëjmë thirrje për hetim transparent të të gjitha akuzave për përdorim të papërshtatshëm të forcës kundër protestuesve. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të respektohen dhe siguria e protestuesve dhe e gazetarëve duhet të sigurohet”, tha Temido në një konferencë për medie, transmeton media e pavarur N1.

Ajo theksoi se misioni mori raporte shqetësuese edhe lidhur me presionet në Serbi.

“Ne morëm ankesa shqetësuese lidhur me presionet financiare, administrative dhe fizike ndaj personelit akademik dhe lidhur me kufizimet e lirisë së medias. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë reformat në gjyqësi, të cilat përbëjnë rrezik për minimin e pavarësisë së gjyqësorit”, deklaroi ajo.

Temido theksoi se progresi në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian varet nga “respekti për vlerat evropiane” dhe theksoi se ky proces është “në dorën e Serbisë”.

“Vizita jonë tregon se Serbia është prioritet. Ne kujdesemi për qytetarët e këtij vendi. Parlamenti Evropian beson se Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, i takon Serbisë të vendosë”, theksoi ajo.

Temido bëri të ditur se në takimet e delegacionit është diskutuar për rekomandimet e ODIHR-it, për lirinë e medias dhe zgjedhjen e anëtarëve të REM [Rregullatori i Medieve Elektronike], për reformën zgjedhore, për lirinë e shprehjes, etj.

Duke iu përgjigjur në pyetjen e një gazetarje se “si mund të shkojë Serbia drejt BE-së me këtë koalicion qeverisës që e kritikon dhe e fyen delegacionin”, shefja e delegacionit të BE-së

kreu i këtij misioni tha se do të kthehet përsëri.

“Nuk i takon Bashkimit Evropian ose Parlamentit Evropian t’i zgjedhë qeveritë e vendeve të tjera. E kuptojmë se axhendat nuk janë të pajtueshme”, tha ajo.

Por, theksoi delegacioni do të shkojë përsëri në Serbi.

Vizita e delegacionit nëntë anëtarësh të Bashkimit Evropian në Serbi kishte mision vlerësimin e gjendjes së demokracisë, protestave dhe represionit. Raporti i delegacionit do t’i paraqitet Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

(r.m.)