Shefja e USAID: SHBA mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit mes Kosovës e Serbisë

Beograd, 10 maj 2023 – Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, premtoi të mërkurën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Serbinë dhe Kosovën, ndërsa dy vendet armike të kohës së luftës punojnë për të stabilizuar marrëdhëniet në një kohë tensionesh të rritura.

“Do të duhet guxim politik për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, të pranueshme për të dyja palët, por mbështetja nga Shtetet e Bashkuara do të jetë e palëkundur në javët e ardhshme, ndërsa Serbia dhe Kosova punojnë për të hedhur hapat e ardhshëm”, u tha zonja Power gazetarëve në Beograd.

Zonja Power foli pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe kryeministren Ana Bërnabiç. Nga Serbia, ajo do të udhëtojë për në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë nha Serbia në vitin 2008.

Uashingtoni dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, por Serbia, së bashku me Rusinë dhe Kinën, jo. Uashingtoni dhe Brukseli kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, për shkak të luftës në Ukrainë.

“Siç i thashë presidentit Vuçiç, përkushtimi i tij për dialogun me Kosovën, për kauzën e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Dhe Shtetet e Bashkuara ofrojnë mbështetjen e tyre të fuqishme”, tha zonja Power.

“Ne diskutuam se si Shtetet e Bashkuara mund të jenë të dobishme në avancimin e përparimit në atë që do të jetë një hap tepër i rëndësishëm përpara në rrugën evropiane të Serbisë”, tha ajo.

Zonja Power është shefja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që udhëton në Serbi, e cila mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë. Ajo vlerësoi mbështetjen e Serbisë për Ukrainën, megjithëse Beogradi ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të luftës.

(Zëri i Amerikës)