Libri i Prof. Thanas L. Gjikës «Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re» – një kontribut me vlera për historiografinë shqiptare.
Nga Fotaq Andrea
Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i Prof. Thanas L.Gjikës «Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re». Është libri i tij i tretë me tematikë të mirëfilltë shkencore në fushën e shpirtërores ungjillike, bazuar drejtpërdrejt te “Dhiata e Re”, tek ka botuar tashmë me sukses “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” më 2007, dhe “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut” më 2014. Vepra këto që përbëjnë sot që të trija një korpus unik dhe një risi të veçantë për historiografinë shqiptare, të lidhura ngushtë siç janë me udhëtimet misionare të Shën Palit, sidomos në trevat iliro-shqiptare të Ilirikumit të lashtë dhe me fillimet e përhapjes mes tyre të krishtërimit, Frymës së Shenjtë.
Me bagazh të rëndë si studiues i mirëformuar para viteve të demokracisë, kur kish punuar për 26 vjet me radhë në Institutin e Gjuhë-Letërsisë, prof. Gjika vjen me këtë libër të ri, i një veçantie të dukshme, për të vërtetuar sërish se edhe në fushën e Shkrimeve të Shenjta, përtej dogmave dhe vendimeve historike të Koncilit, përtej paragjykimeve në rrafsh të brendshëm e të jashtëm, ka vend përherë për studime të thelluara shkencore, të cilat e vendosin sot prof. Gjikën në radhën e studiuesve dhe biografëve më të njohur, sidomos të jetës apostolike të Shën Palit, madje, do thoshim pa ndrojë, në pararojë të tyre, me prurje përherë të reja, përmes vështrimesh dhe analizash shkencore nën filtrin e kritikës konstuktive.
Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe përderisa këto vepra janë fryt i një pune këmbëngulëse 25 vjeçare filluar nga prof. Gjika që më 1997 në Amerikë, kur me përpjekje të vazhdueshme shkencore ai rrok fuqishëm e guximshëm një tematikë me përmasa botërore dhe me rëndësi madhore për vetë forcën e shpirtërores njerëzore. Kësisoj, tek bën objekt të punës së tij shkencore këtë fushë mjaft të vështirë e delikate, si ajo Frymës së Shenjtë përhapur nëpërmjet apostujve të saj, prof. Gjika ka meritën e padiskutueshme se ia del mbanë të flasë me sukses, në rrafsh ndërkombëtar, për kundërthëniet apo përplasjet nga një studim te tjetri të “Dhiatës së Re”, për kontradiktat dhe pasaktësitë që hasen në këto studime dhe në hartat historike shoqëruese të tyre, sidomos lidhur me jetën dhe veprën e apostujve të Jezusit. Duke respektuar traditën shekullore të Kishës së krishterë dhe doktrinën e saj të shenjtë, Prof. Gjika guxon dhe korrigjon me forcën e besimit shkencor tërë pasaktësitë që përmbajnë studimet historike lidhur me Shkrimet e Shenjta. Sepse ai e zotëron plotësisht lëndën biblike, di ta ndajë dhe ristrukturojë atë në mënyrë të saktë shkencore, për t’i trajtuar veçmas dhe hollësisht pikërisht katër Udhëtimit misionare të Shën Palit. Dhe e tërë kjo domosdo mbi bazën e hulumtimit këmbëngulës, tek ka vëzhguar, qëmtuar, krahasuar, arsyetuar me analiza të thella faktet dokumentare në shënimet dhe hartat e “Dhiatës së Re”, gjë që e lejon atë të sjellë saktësimet dhe korrigjimet e duhura, me probabilitet të pashmangshëm historiko-shkencor.
Njohës i thellë, i përpiktë, i kujdesshëm, specialist i veçantë në fushën e shpirtërores sipërpore, Prof. Gjika nxjerr fuqishëm në pah krijimin e bashkësive të para të krishtera arbërore në Iliri, krahas bashkësive greke e maqedone, si dhe rolin e madh që luante Kisha e krishterë themeluar në Durrës nga Shën Pali. Ashtu si në librat e tij të këtij korpusi të veçantë, edhe në këtë vepër të re, prof. Gjika i përmbahet me besnikëri dhe frymë krijuese ndër të tjera dy burimeve kryesore bibliografike me tematikë shqiptare, konkretisht: veprës madhore të Barletit nga njëra anë, i cili jep të dhënën e rëndësishme se “në Shtëpinë princërore të Pal Dukagjinit, në TejDrinën e Sipërme, vërehen përmendore prej mermeri, ku shihen emra perandorësh romakë… dhe gjurmë se këtu apostulli Pal u ka predikuar njerëzve besimin e Krishterë” (f.79); dhe nga ana tjetër, të dhënën burimore të jezuitit dhe historianit Daniele Farlati në veprën e tij madhore “Illyricum Sacrum”, sipas së cilës Kisha e Durrës në vitin 57-58 kishte 70 familje anëtarë dhe se Apolo e Cezari ishin peshkopë të saj. Duke logaritur kohën e udhëtimit të tretë misionar (UM3) të Palit, studiuesi Gjika saktëson se koha e vizitës së apostullit Pal në Durrës kishte ndodhur në vitin 56, pra një ose dy vjet më parë se se viti, kur kjo kishë kishte atë anëtarësi të madhe.
Po ashtu në këtë studim argumentohet me të dhëna nga vetë taksti i letrës kanonike “Romakëve” se Shën Pali e hartoi pjesa kryesore e saj, që ka qenë letër më vete (Rom 1-15) në Dyrrach (Durrës). Nuk mungon me këtë rast, dhe me të drejtë, propozimi i prof. Th. Gjikës, me shumë largpamje dhe ndjenjë krenarie kombëtare që të ngrihet shi në Durrës përmendorja e Shën Palit duke shkruar këtë letër kanonike. E mbështesim fuqimisht këtë propozim të tij me besimin se së shpejti koha do ta bëjë realitet.
Udhëtimi i tretë misionar (UM3) dhe Udhëtimi i katërt misionar (UM4) i Shën Palit në trevat shqiptare përbëjnë kështu objekt studimi të hollësishëm për Prof. Gjikën, i cili, pasi parashtron tërë toponiminë me emrin e Shën Palit në trevat shqiptare, propozon edhe korrigjimet e tij të nevojshme të hartave zyrtare UM3 për lëvizjet e Shën Palit në këto treva shqiptare, si dhe kohëzgjatjen e këtyre udhëtimeve në vitet 52-57 (f. 92). Po ashtu, edhe për UM4, prof. Gjika nxjerr në pah sërish lëvizjet e Apostullit Pal në trevat iliro-shqiptare, gjithnjë duke pasur për bazë qytet-portin e Durrësit dhe rrugën Egnantia gjatë periudhës mars 62 – qershor 63. Dhe e jep me përpikmëri tërë këtë udhëtim të Sh. Palit: Romë – Puteoli – Brindisi – Durrës – Nikopol – Lascea – Cezara – Milet – Peloponez, etj dhe përsëri kthimin në qytetin e Durrësit e që aty vajtjen në Romë (f. 114-115).
Është e njohur se kryesisht gjatë shekullit XIX, studiues dhe dijetarë të huaj ishin të parët që trajtuan shkencërisht të dhënat historiko-gjuhësore për Shqipërinë dhe shqiptarët, sikurse ndodh edhe me këtë të dhënë të akademistit francez Jacques Bourcart (1891-1965) për udhëtimin e Shën Palit në Shqipëri tek nënvizon: “Shën Pali e predikoi atë (kristianizmin) mbi kodrën e Dyrrahut” (sipas librit F. Andrea, “Pena të arta franceze për shqiptarët”, f. 509-516). E megjithatë, baza e shkencave albanologjike do fillonte mrekullisht me kontributin e figurave të ndritura të Rilindjes shqiptare dhe do themelohej shkencërisht në mesin e shekullit XX, kur do të ishin tanimë dijetarët shqiptarë, historianë, arkeologë, gjuhëtarë, etj. që do të thoshin me vendosmëri e vërtetësi dokumentare fjalën e tyre shkencore që frymëzon sot dijetarët e huaj për thellime të mëtejshme në shkencat albanologjike. Dhe në këtë mes, Prof. Thanas Gjika, me kompetencë studiuesi serioz flet bukurisht e ndërkombëtarisht, për të na e sjellë figurën e Shën Palit tepër njerëzor dhe tepër përkushtues për kauzën e tij të shenjtë apostolike. E paraqet këtë figurë me dashuri, vërtetësi, me tërë cilësitë e larta njerëzore e mbinjerëzore (misionare e hyjnore), duke parashtruar të dhëna të reja, saktësime e korrigjime, me frymë novatore, përtej çdo ndjenje inferioriteti, kur popuj të vegjël si i yni kanë nxjerrë dhe nxjerrin përherë figura të ndritura historike si Nënë Tereza, shenjëtorja shqiptare.
Por, që studiuesit shqiptarë të flasin sot ndërkombëtarisht dhe në mënyrë dinjitoze në tërë fushat e albanologjisë, e sidomos në këtë fushë të shpirtërores supreme, siç bën prof. Gjika me librat e tij, lypset para së gjithash e mbi të gjitha një strategji e tërë kombëtare për punë të mirëfilltë përkthimore të veprave madhore albanologjike. E më tej me revista shkencore dhe deri te dokumentarë shkencorë. Lypset popullarizimi i figurave dhe vendeve historike shqiptare me tabela e shënjues në gjuhë të huaja, me lapidare e përmendore, me tregues historikë e katalogë, si dhe me punë të vijueshme krijuese nga autorët dhe artistët shqiptarë, nga piktorët e skulptorët tanë të talentuar.
Shqipëria po hapet përherë e më shumë për vizitorin dhe turisitin e huaj, Shqipëria ka se çfarë t’i tregojë denjësisht njerëzimit pasuritë e veta historiko-kulturore, traditat e saj të famshme në mikëpritje dhe dashuri të shenjtë njerëzore. Dhe këtë dashuri të shenjtë për figurën e Shën Palit dhe misionin e tij historik e shpreh fuqimisht libri më i ri i Prof. Thanas L. Gjikës «Disa korrigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re».
Strasbourg 8/31/2022