Shërohet pacienti i katërt me HIV. Ai ishte i sëmurë prej vitit 1988

Mjekët e një spitali në Kaliforni thonë se një burrë që ishte i infektuar me HIV që nga vitet ‘80 duket se është shëruar. Atij iu transplantua palca e eshtrave për ta trajtuar leuçeminë. Dhuruesi ishte natyralisht rezistent ndaj virusit.

66-vjeçari, i cili nuk dëshiron të identifikohet, tashmë e ka ndërprerë mjekimin për HIV. Në spitalin ku u trajtua, në Duarte të Kalifornisë, ai njihet si pacienti i “Qytetit të Shpresës”.

Pacienti tha se është tepër mirënjohjes që në trupin e tij nuk ka më virus HIV.

“Kur u diagnostikova me HIV, në vitin 1988, si shumë të tjerë, mendova se ishte një dënim me vdekje. Nuk e kisha menduar kurrë se do të jetoja deri në ditën që nuk do të kisha më HIV. Nuk e kisha menduar kurrë se do ta shihja këtë ditë”, ka shtuar ai.

Shumë nga miqtë e tij kanë vdekur nga HIV, përpara se ilaçet antiretrovirale t’ua siguronin njerëzve një jetëgjatësi pothuajse normale.

Virusi i mungesës së imunitetit të njeriut (HIV) e dëmton sistemin imunitar të trupit. Kjo mund të çojë në AIDS (sindromi i mungesës së imunitetit të fituar) dhe trupi përpiqet të luftojë infeksionin. Por, atij nuk iu dha terapia për HIV-in e tij, sepse në moshën 63-vjeçare iu shfaq kanceri i gjakut, leukemia.

Ekipi mjekësor vlerësoi se ai kishte nevojë për transplant të palcës kockore, për të zëvendësuar qelizat e tij kancerogjene në gjak. Rastësisht, dhuruesi i palcës ishte rezistent ndaj HIV-it.

Virusi hyn në qelizat e bardha të gjakut të trupit tonë duke përdorur një portë mikroskopike, një proteinë e quajtur CCR5. Por, disa njerëz, sikurse donatori i palcës, kanë mutacione CCR5 që ia “mbyllin derën” HIV-it.

Pacienti i “Qytetit të Shpresës” u monitorua nga afër pas transplantimit dhe nivelet e HIV-it u bënë të pazbulueshme në trupin e tij.

“Ne ishim të entuziazmuar që e njoftuam se HIV-i i tij është zhdukur dhe se ai nuk ka më nevojë të marrë terapinë antiretrovirale të cilën e kishte marrë për më shumë se 30 vjet”, tha Dr Jana Dickter, mjeke e sëmundjeve infektive në “City of Hope”.

Ky është pacienti i katërt që shërohet nga HIV. Hera e parë që ndodhi kjo ishte në vitin 2011. Timothy Ray Broën, i njohur si “Pacienti i Berlinit”, ishte personi i parë në botë që u shërua nga HIV. Edhe tri raste të ngjashme janë regjistruar në tri vitet e fundit.

Pacienti i “Qytetit të Shpresës” është pacienti më i vjetër që trajtohet në këtë mënyrë dhe pacienti me HIV që ka jetuar më së gjati.

Sidoqoftë, transplantet e palcës së eshtrave nuk do ta revolucionarizojnë trajtimin e HIV për 38 milionë njerëz në botë të infektuar nga ky virus.

 “Është një procedurë komplekse, me efekte anësore të mundshme. Pra, nuk është me të vërtetë një opsion i përshtatshëm për shumicën e njerëzve që jetojnë me HIV”, tha Dr Dickter.

Por, studiuesit po studiojnë mënyra për të parandaluar infeksionin, duke e përdorur terapinë gjenetike si një medotë të mundshme trajtimi.

Rasti u raportua në konferencën e AIDS 2022 në Montreal, Kanada.

Prof. Sharon Lewin, president i Shoqatës Ndërkombëtare të Sidës, tha se deri më sot ka “një grusht rastesh individuale të kurimit” dhe se ato ofrojnë “shpresë për njerëzit që jetojnë me HIV dhe frymëzim për komunitetin shkencor”.

(r.m.)