Shiroka – Pula dhe Kurti zotohen të bashkëpunojnë ngushtë në interes të shtetit

Prishtinë, 8 tetor 2026 – Presidentja Justina Shiroka – Pula dhe Kryeministri Albin Kurti janë zotuar se do të bashkëpunojnë ngushtë në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe dy institucionet që i udhëheqin ata do t’i bashkërendojnë veprimet në interes të shtetit e të qytetarëve të Kosovës.

Liderët e dy institucioneve më të larta shtetërore e bënë këtë zotim në takimin e tyre të parë zyrtar në pozitat që i mbajnë tqë dy.

“Gjatë takimit, Presidentja Shiroka Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të vendit. Kryeministri Kurti e falënderoi presidenten për gatishmërinë për të marrë këtë përgjegjësi dhe i uroi suksese në detyrë. Ai shprehu përkushtimin për të bashkëpunuar me të në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe në çështjet me rëndësi për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes Shiroka – Pula.

Ndërsa Kurti ka deklaruar se Kosova nuk ka “kohë për të humbur” prandaj institucionet shtetërore duhet të bashkëpunojnë ngushtë për t’u përballuar me sfida të shumta. 

“Takimi i parë me presidenten dhe mikpritje e zotim për punë të mëdha e të përditshme për interesin e gjithë qytetarëve, pa dallim. E falënderova shumë, e cila na nderoi me pranimin e saj të kandidaturës. Tash na presin shumë punë. Kosova, më në fund, pas më shumë se një viti ka institucione funksionale dhe tash nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, ka deklaruar kryeministri Kurti pas takimit me Presidenten Shiroka-Pula.

Justina Shiroka – Pula u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës të martën, në mbëmje vonë. Ajo e mori detyrën e Presidentes të mërkurën.

(r.m.)