Shkarkohet u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi

Prishtinë, 20 nëntor 2025 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shkarkuar Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Për shkarkimin e Kelmendit votuan vetëm pesë anëtarë të KPK-së.

Në mbledhjen e KPK-së u vendos që Agron Qalaj të emërohet ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës ka propozuar shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Zv.kreysuesja Jehona Grantolli ka deklaruar se këtë po e propozon pas zhvillimeve të fundit, ku Kelmendi u intervistua në cilësinë e dëshmitarit nga Prokuroria Speciale lidhur me masakrën e Reçakut.

“Duke pasë parasysh zhvillimet e fundit lidhur me detyrën e U.D. Besim Kelmendit, i cili është pozicionuar së fundmi me një grup të anëtarëve të KP dhe i cili më nuk përfaqëson unitetin e sistemit prokurorial, për të cilin është zotuar në marrjen e detyrës. Duke pasur parasysh edhe kërkesat e ndryshme që janë publike, që Këshilli Prokurorial të kërkojë shkarkimin e U.D.-së, kërkoj që kjo pikë të futet në mbledhje, me propozimin për shkarkimin e tij”, ka thënë Grantolli në mbledhjen e KPK-së.

Vetë Kelmendi në reagimin e tij lidhur me shkarkimin e tij ka thënë se Grantollit duket se fjalimin ia ka shkruar dikush tjetër e jo ajo vetë.

“Sot nga zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial doli një propozim, të cilin ajo e lexoi, por nuk dihet se kush ia ka shkruar. Ndoshta ai është zëdhënësi i tyre në media. Një dhe i vetëm. Kam dëgjuar shumë mirë çka k thënë. Nëse është dikush pjesë e grupeve, tregoni cili grup është”, deklaroi Kelmendi.

Sipas tij, ky veporim është planifikuar me qëllim që në këtë pozitë të vijë “njeriu i besueshëm i atyre që po dëshirojnë ta shkarkojnë”.

Të mërkurën, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka thënë se shkrimet e publikuara në portalin “Paparaci” lidhur me punën e tij janë të pavërteta dhe shpifje.

“Më vjen shumë keq që një portal i njohur “Paparaci” po vazhdon të raportojë të pavërteta. Lajmet e publikuara janë të pavërteta dhe tendencioze. Të dhënat janë plotësisht gënjeshtra. Unë kam pasur kësi shkrime dhe më herët nga i njëjti portal nga pronari i saj Vehbi Kajtazi”, tha ai.

Kelmendi e cilësoi si shpifje raportimin e “Paparacit” se ai ka bashkëpunuar me gjyqtaren serbe, Danica Marinkoviq, më 1999, e cila e kishte përsipër rastin e masakrës së Reçakut.

Kelmendi njoftoi se gjatë ditës së mërkurë është paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Kosovës lidhur me punën e tij në gjykatë në kohën kur ka ndodhur masakra e Reçakut.

Sipas tij, në atë periudhë ishte i punësuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë si bashkëpunëtor profesional, duke theksuar se kryente punën e procesmbajtësit, andaj i mohoi akuzat se ishte asistent i Marinkoviqit.

Sipas tij, Marinkoviq ishte gjyqtarja që “zhduku provat për masakrën e Reçakut”.

(r.m.)