Stokholm, 2 tetor 2023 – Shkencëtarja hungareze Kalin Kariko dhe shkencëtari amerikan Drew Weissman fituan çmimin Nobel në mjekësi të hënën për zbulimet që mundësuan prodhimin e vaksinave mRNA kundër COVID-19. Në vitin 2005, ata arritën të bënin ndryshimet e nevojshme në kodin gjenetik të mRNA-së duke shmangur kundër-reagimin nga sistemi imunitar i njeriut. Kjo i hapi rrugën kompanive Moderna dhe BioNtech për të prodhuar me shpejtësi vaksinat kundër koronavirusit.
Katalin Kariko, profesore në Universitetin Sagan në Hungari dhe në Universitetin e Pensilvanisë dhe Drew Weissman, nga Universiteti i Pensilvanisë, u nderuan me çmimin Nobel për studimin tyre të përbashkët mbi teknologjinë mRNA.
“Përmes gjetjeve të tyre të reja, të cilat kanë ndryshuar rrënjësisht njohurinë tonë mbi mënyrën se si ndërvepron teknologjia mRNA me sistemin tonë imunitar, laureatët kontribuan në një nivel të pashembullt në zhvillimit e vaksinave gjatë njërit prej kërcënimeve më të mëdha për shëndetin e njeriut në kohët moderne”, tha Rick Sandberg, anëtar i Komitetit për Çmimet Nobel.
Thomas Perlmann, sekretar i Asamblesë së Nobelit, tha se të dy shkencëtarët ishin “të befasuar dhe shumë të gëzuar” nga njoftimi për çmimin, kur ai i kontaktoi ata pak para shpalljes së fituesit.
Vaksina mRNA funksionoin me një teknologji krejt të re. Ndryshe nga vaksinat klasike, ajo nuk përmban një variant të dobësuar të virusit. Vaksina e re përmban një kopje të kodit gjenetik të proteinës që është në sipërfaqe të koronavirusit. Duke injektuar këtë kod, që quhet mRNA, organizmi prodhon proteinën e vet, që është e padëmshme dhe përgatitet për të prodhuar antitrupa që luftojnë koronavirusin në se virusi hyn në organizëm. Kjo teknologji është zbuluar që në vitin 1961, por përdorimi i saj në vaksina filloi për herë të parë në vitin 2020 nga kompanitë Moderna dhe Pfizer, të cilat prodhuan vaksinat e para kundër koronavirusit.
Katalin Kariko deri në vitin 2022 ka qenë nënpresidente dhe drejtuese e projektit të prodhimit të vaksinave me teknologjinë mRNA në kompaninë BioNtech, e cila në bashkëpunim me kompaninë Pfizer prodhoi vaksinën kundër koronavirusit me këtë teknologji të re.
Drew Weissman është profesor i vaksinave në Universitetin e Pensilvanisë.
Ata kanë punuar së bashku për krjimin e një metode të modifikimit të kodit të teknologjisë mRNA, në mënyrë që të mos lejojë sistemin imunitar ta sulmojë kodin gjenetik të krijuar në laborator. Para këtij zbulimi, kjo shihej si një nga pengesat më të mëdha të përdorimit të teknologjisë mRNA për vaksina, ose trajtime të tjera mjekësore.
Kompania BioNtech tha në qershor të këtij viti se kishte shpërndarë mbi 1,5 miliardë vaksina kundër koronavirusit të prodhuara me teknologjinë mRNA.
Nesër pritet të shpallen fituesit e çmimit Nobel për fizikën, të mërkurën për kiminë, të enjten shpallet fituesi i Nobelit për letërsinë, të premten shpallet Nobeli për paqen dhe më 9 tetor, ai për ekonominë.
Fituesit e çmimeve Nobel këtë vit do të shpërblehen me 1 milion dollarë. Paratë vijnë nga një fond i krijuar nga themeluesi i çmimit Nobel, shpikësi suedez Alfred Nobel, i cili vdiq në 1896.
Laureatët do të ftohen të marrin çmimet e tyre në ceremonitë e 10 dhjetorit, përvjetori i vdekjes së Nobelit. Çmimi prestigjioz i paqes ndahet në Oslo, sipas dëshirës së tij, ndërsa ceremonitë e tjera mbahen në Stokholm.
(Zëri i Amerikës)