Shkolla Shqipe “Alba Life” në Albany mbylli me sukses vitin akademik 2025–2026

Nga Keze Kozeta Zylo

ALBANY, NEW YORK

Nën tingujt e këngëve shqipe, buzëqeshjet e fëmijëve dhe emocionet e prindërve, Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit në Albany, kryeqytetin e shtetit të Nju Jorkut, mbylli me sukses vitin akademik 2025–2026, duke dëshmuar se gjuha shqipe vazhdon të jetojë e të lulëzojë edhe larg trojeve amtare.

Në majin e trëndafilave ne festuam së bashku mbylljen e vitit me mësues, nxënës, prindër dhe gjyshër të shkollës Shqipe “Alba Life” në kryeqytetin e Nju Jorkut në Albany në një nga shkollat e rrjetit më të madh në diasporë të Familjes së Madhe “Alba Life”.

Ishte një ditë e dielltë, si vetë ndriçimi i Gjuhës Shqipe ndër shekuj. Kur e filluam këtë nismë me Prof. Qemal Zylo këtu në Albany rruga nuk ka qenë e shtruar si në dafina, por me përpjekje të mëdha, e arritëm këtë sukses të radhës duke festuar bashkë vetëm shqip.

Më duhet të them se hapja e shkollës në Albany, për ne frymëzuese ka qenë Parlamenti dhe Senati i Nju Jorkut të cilët na vlerësuan maksimalisht, ka qenë një ditë historike ku Shkollat Shqipe “Alba Life” në NY, Ambasador i Kombit u nderuan në Parlamentin e Shtetit të Nju Jorkut, për punën dhe përkushtimin e palodhur me dy rezoluta dhe duke pasur njëkohësisht një Rezolutë, ligj në emër të “Alba Life”.

Krenar të udhëtonim drejt kryeqytetit të Nju Jorkut në Albany ku para ceremonisë na priti përzemërsisht drejtori i Shkollës “Sand Creek Middle School”, Albany, z. Michael P. Marhon. Gjithmonë jam krenar tha Drejtori (Principal) z. Marhon me Shkollën Shqipe që po vazhdoni në këto mjedise publike. Gjithë ekipi im ju falënderon për rregullin dhe mësimin profesional.

Shkolla Shqipe “Alba Life”, Albany në kryeqytetin e Nju Jorkut është histori suksesi vazhdoi z. Qemal Zylo themelues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life”, pasi kjo shkollë shqipe u hap për herë të parë në historinë e Diasporës, në Albany.

Ne ishim në takim pune me z. Marhon para se të fillojmë ceremoninë e mbylljes plot sukses të vitit akademik 2025-2026 pranë kësaj shkolle, një ndër shkollat e Familjes së Madhe “Alba Life” rrjetit më të madh të Shkollave Shqipe në Diasporë për 19 vjet pa u ndalur.

Siç e përsëris gjithmonë nga thelbi i zemrës se bota e fëmijëve gjithmonë më ka magjepsur dhe e nderuar të kem karrierën time të punës midis dy kontinenteve pranë tyre profesionalisht dhe mirësisht. Sa shkuam pranë klasës ku nxënësit do të shfaqnin programin takimi aq i pastër me ta si pika e lotit na jepte frymëzim dhe energji për më shumë punë.

Mësuesja e talentuar Ida, dy asistentet Lousiana, Breana dhe mësuese Edvina për semestrin e parë ishin në krye të detyrës.

Mësuese Ida i rregullonte, u vinte kapelet e bukura si kurorë në kokat e tyre, bashkë me Breanen dhe Lousianen dy asistente të mrekullueshme, plot përkushtim dhe dashuri. Prindërit e rinj të interesuar falënderonin themeluesit, mësueset dhe donin me ngulm që fëmijët e tyre të mësonin gjuhën shqipe.

Ceremonia e mbylljes u shndërrua në një festë të bukur të dijes, kulturës dhe identitetit kombëtar. Nxënësit recituan poezi, interpretuan këngë dhe valle shqiptare, duke sjellë para të pranishmëve, prindërve të tyre jo vetëm talentin e tyre, por edhe frytin e një viti të tërë pune e përkushtimi.

Në një kohë kur brezat rriten mes kulturash dhe gjuhësh të ndryshme, misioni i shkollës shqipe “Alba Life” merr një rëndësi të veçantë. Çdo shkronjë e mësuar, çdo varg i recituar dhe çdo këngë e kënduar në gjuhën amtare është një gur i çmuar në ruajtjen e identitetit shqiptar.

Siç shprehej ideologu i madh i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri: “Gjuha është shenja e kombësisë.” Kjo thënie jehon fuqishëm në mjediset e shkollës shqipe në Albany, ku fëmijët mësojnë të flasin, të shkruajnë dhe të ndihen krenarë për rrënjët e tyre shqiptare.

Gjatë vitit akademik, nxënësit përvetësuan njohuri në gjuhën shqipe, histori, kulturë dhe tradita kombëtare, ndërsa mësuesit dhe prindërit punuan së bashku për të mbajtur të gjallë frymën shqiptare në zemër të Amerikës.

Në fund të ceremonisë z. Qemal Zylo shpërndau certifikata mirënjohjeje dhe vlerësime për mësueset Ida, Edvina dhe Kristianthi të cilat kanë punuar pa u lodhur me dashuri dhe profesionalizëm, si dhe për gjithë nxënësit, ndërsa emocionet e momentit rikujtuan fjalët e pavdekshme të At Gjergj Fishtës:

“Dashninë me ua ndez shqiptarve, për ka gjuha e vendit t’parve”.

Kjo thënie dukej sikur merrte jetë në zërat e fëmijëve që flisnin shqip me krenari, duke dëshmuar se fara e mbjellë nga Rilindasit vazhdon të japë fryte edhe në brigjet e largëta të Atlantikut.

Mbyllja e suksesshme e vitit akademik 2025–2026 është një dëshmi e përkushtimit të mësuesve, mbështetjes së prindërve dhe etjes së brezit të ri për të njohur gjuhën dhe kulturën e të parëve.

Me këtë arritje, Shkolla Shqipe në Albany jo vetëm që mbylli një vit shkollor, por hapi një kapitull të ri shprese për të ardhmen e shqipes në diasporë. Sepse, siç na mësoi Rilindja Kombëtare, një komb jeton përmes gjuhës së tij, dhe aty ku dëgjohet fjala shqipe, rreh edhe zemra e Shqipërisë.

Shkolla Shqipe në Albany vazhdon të jetë një vatër e rëndësishme e edukimit në gjuhën shqipe dhe e promovimit të kulturës shqiptare në kryeqytetin e shtetit të Nju Jorkut.

Suksesi i vitit akademik 2025–2026 dëshmon edhe një herë se komuniteti shqiptar në këtë zonë mbetet i përkushtuar në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në përcjelljen e tij tek brezat e rinj.

Me këtë mbyllje të suksesshme, të vitit të 19-të mbushur me arritje pret me optimizëm vitin e ri shkollor të 20-in, duke vazhduar Misionin Kombëtar të saj në shërbim të gjuhës dhe kulturës shqiptare në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë stafin dhe mësueset e shkollave në gjithë Nju Jorkun.

Fëmijët tanë na treguan edhe një herë se rrënjët mbahen gjallë, kur ne i ushqejmë me kujdes, me kulturë dhe me krenari.

Pas koncertit artistik nxënësit dhe prindërit u shtruan në tryeza për të darkuar së bashku, e sponsorizuar nga sipërmarrësi, prind dhe dashamirësi i madh i Shkollave Shqipe “Alba Life” z. Rigels Bracellari, New York Style Pizza.

Programi artistik

Himni i Flamurit Kombëtar

Poezia “Gjuha shqipe” Gjergj Fishta: Madison dhe Hannah Hoxha Kosova interpretuar nga Anea Balaj

Fjalë të urta popullore nga Ermelisa, Anea, Sofia, Madison, Drini, Dylan, Hannah, Vanessa, George, Isabelle, Ella, Emily, Alba dhe Anika

Vallja Pogonishte

Gjuha Shqipe: Naim Frashëri interpretojnë George dhe Alba

Poezia “Skënderbeu” nga Naim Frashëri: vëllezërit Jack dhe Dylan Delia

Fragment nga Bagëti dhe Bujqësi nga Sofia, Anea, Ermelisa, Madison, Drini dhe Dylan

Kënga “Tring Zilja” të gjithë nxënësit

Motrat Belishta: “Fjalët e Qiririt” nga Naim Frashëri

Poezia: “Gjuha e Nënës” interpretojnë Drini, Hannah, George, Ermelisa dhe DylanPoezia “Shko Dallëndyshe”, Filip Shiroka interpretojnë Emily, Vanessa dhe Isabelle

Gjëegjëza: nga Alba, Isabelle, Ella dhe Jack

Kënga “Fluturo Shqiponja” interpretojnë Sofia dhe kori

Vallja e Tropojës

Vallja e Gajdes

Himni i shkollave Shqipe “Alba Life”

29 Maj, 2026

Albany, New York