Shkolla shqiptare nuk ishte e përgatitur për fëmijë me nevoja të larta si im bir

Jeta Toçila Dedja
 
Im bir, Davidi është një fëmijë me inteligjencë të lartë, kjo e provuar edhe përmes pikëve që ai arriti në testin e njohur të inteligjencës WAIS-IV. Por unë këtë e kam ditur edhe pa patur nevojën e provave. Që fëmijë Davidi dallonte për zhvillimin e përparuar gjuhësor, nivelin e të arsyetuarit, mënyrën e të menduarit, qasjet në komunikim me të njohurit e të panjohurit. Pavarësisht këtyre, im bir nuk u konsiderua asnjëherë një nxënës i mirë sipas parametrave të vlerësimit të nxënësve në Shqipëri. Përkundrazi, etiketohej si llafazan kur ai jepte mendime jokonformiste, i pavëmendshëm kur mësimi ishte më i varfër se formimi i tij, apo i papërqëndruar kur mësuesi dështonte të ishte interesant.
Si psikologe unë e dija që nuk ishte fëmija im problemi por sistemi të cilin nuk mund ta ndryshoja edhe pas ankesave të mia të vazhdueshme. I provova shkollat private e publike në Shqipëri, por tek asnjë nuk gjeta atë çfarë i nevojitej një fëmije që dilte nga rreshtat e normave standarde. Dikur pata fat me mësuese Albanën, por ajo ishte e vetme përballë kurrikulës bajate që diktonte metodologji demode.
Tani që im bir ndjek një gjimnaz kanadez dy-gjuhësh, (frëngjisht-anglisht) që filozofinë e mësimdhënies e bazon në përshtatjen e metodave sipas karakteristikave të nxënësve, Davidi është një nga nxënësit më të mirë të shkollës për të cilin mësuesit në çdo mbledhje prindërish arrijnë të më emocionojnë me vlerësimet maksimale që shprehin. Ai ka arritur ato rezultate që e çojnë automatikisht drejt degëve më të kërkuara të studimit si në shkenca ekzakte ashtu edhe ato shoqërore. Mësuesit e historisë dhe shkencës i dërgojnë elektronikisht materiale shtesë të personalizuara meqënëse ai ka përparuar më shumë se të tjerët.
Bëra këtë hyrje nisur nga një thirrje për ndihmë që një nënë shqiptare u drejtonte mësuesve të fëmijës së saj, shpërndarë nga Majlinda Keta. Mu kujtua vetja dhe vështirësitë për të gjetur e marrë shërbimin e duhur për të cilin paguaja taksat por edhe tarifat e kripura të sistemit privat. Arsimi shqiptar i është nënshtruar reformave të ndryshme, por të gjitha këto reforma nuk kanë patur në fokus suksesin e të gjitha profileve mësimorë të nxënësve, por dështimin e shumicës dhe suksesin e atij lloj tipi që i bie fiks kallëpit uniform që nuk krijon bezdi as te mësuesi e as te sistemi. Edhe pse në letra propagandohen metodologji gjithëpërfshirëse me në qendër nxënësin, sistemi e përkthen këtë duke i orientuar mësuesit të kapin nxënësit “jomodel” në gabim e të nxjerrin në pah mangësitë e tyre më tepër sesa të kuptojnë e të ndihmojnë nxënësin të kapërcejë vështirësitë.
Sa herë që lexoj apo dëgjoj prindër të ankohen për arsimin, ua qaj hallin dhe më dhemb njëlloj si atëherë kur ndaja me mikeshat e mia mendimin se shkolla shqiptare nuk ishte e përgatitur për fëmijë me nevoja të larta si im bir. Sistemi arsimor shqiptar panikohet kur ndeshet me nxënës që nuk janë pjesë e masës dhe në vend të reflektojë e të inkorporojë ndryshimet e duhura, i refuzon thirrjet e ankesat ose pretendon sikur ndihmon, duke dëmtuar të ardhmen e fëmijëve, apo duke i shtyrë prindërit përtej kufijve në rastin më të mirë.
Çfarë mund të bëhet realisht dhe jo vetëm në letra? Ngritja e një sektori multidisiplinor brenda çdo shkolle i përbërë nga ortofonistë, mësues të specializuar për nxënësit me nevoja të larta apo të veçanta, punonjës socialë, këshillues profesionalë dhe asistentë mësues. Ky ekip depiston rastet dhe ndërton planet e individualizuara të ndërhyrjes duke i integruar ato me planin mësimor dhe duke ofruar kështu akomodimet e nevojshme që në fund nxënësit të arrijnë sukses (kur them sukses nuk e kam fjalën vetëm për notat), dhe disa mësuesve t’u lehtësohet ngarkesa për tu marrë me nxënës sfidantë ndaj kapaciteteve të tyre emocionale, sociale e intelektuale.