Stokholm, 8 tetor 2026 – Shkrimtarja Anne Carson nga Kanadaja është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2026.
Akademia Suedeze në Stokholm e vlerësoi shkrimtaren kanadeze për krijimtarinë e saj “të guximshme dhe novatore”, si edhe për mënyrën se si ajo e përdor letërsinë klasike për të krijuar gjini e forma të reja letrare.
Carson, 76 vjeçe, është një nga emrat më të njohur të letërsisë eksperimentale në gjuhën angleze. Ajo ka shkruar poezi, prozë dhe ese. I ka përkthyer edhe disa nga veprat kryesore të klasikëve grekë.
Carson është autore e afër 100 librave. Librat e saj më të suksesshëm konsiderohen: “Eros the Bittersweet” (1986) dhe “Autobiography of Red” (1998). I pari është një ese e gjatë që e trajton natyrën dhe dëshirën njerëzore, kurse i dyti është roman në vargje, rikrijim i një miti të lashtë grek që trajton dashurinë, identitetin dhe natyrën njerëzore.
Anne Carson është studiuese e letërsisë antike greke. Ajo e ka ligjëruar këtë lëndë në Princeton University në shtetin federal të Nju Jereseyt, në Universitetin Berkeley në Kaliforni dhe në Universitetin McGill në Montreal të Kanadasë.
(r.m.)