Shkup: SHBA-ja bën thirrje për proces transparent të miratimit të ligjit për amnistinë

Shkup, 4 tetor 2023 – Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, i bëri thirrje të mërkurën Maqedonisë së Veriut për një proces transparent dhe të ligjshëm në miratimin e ligjit për amnistinë, duke thënë se qytetarët duhet ta kuptojnë se çfarë po ndodh dhe se cila është nevoja për një ligj të tillë.

Qeveria maqedonase e dërgoi të martën në Parlament projektligjin për amnistinë, i cili ka nxitur polemika të shumta edhe mes vetë koalicionit qeveritar.

“Më e rëndësishmja për SHBA-në dhe ambasadën është që procesi të jetë transparent, ligjor dhe qytetarët të dinë se pse po miratohet një ligj i tillë”, tha Ageler të mërkurën.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara do ta ndjekin nga afër procesin, duke shtuar se ai duhet të jetë “i qartë dhe i kuptueshëm”.

“Ky nuk është ligji i parë i amnistisë dhe sigurisht nuk do të jetë as i fundit”, tha ajo.

Legjislacioni parasheh lirimin nga burgu të personave të dënuar me deri gjashtë muaj burgim, ndërsa të dënuarit me mbi gjashtë muaj burgim, do të përfitojnë ulje të dënimit prej 30 për qind.

Amnistia nuk do të vlejë për personat e dënuar me burgim të përjetshëm, të dënuarit për vrasje, përdhunim, keqpërdorime zgjedhore, për personat e dënuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike, për veprimtari kundër shtetit, për shpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe për të dënuarit për dhunë në familje dhe mbi baza gjinore.

Por, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka thënë se projektligji nuk duhet të miratohet “sepse nuk do të ketë efekte në shpopullimin e burgjeve”, siç pretendon Ministria e Drejtësisë e cila e ka përgatitur draftin.

Për më tepër, polemika ka nxitur edhe mundësia se ky legjislacion, nëse hyn në fuqi, t’i amnistojë edhe të dënuarit që ndihmuan autorët e vrasjes së pesë të rinjve maqedonas në vitin 2012, në rastin e njohur si “Monstra”.

Megjithatë, kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski është zotuar se partia e tij, LSDM, do të kërkojë ndryshime në legjislacion për të pamundësuar faljen e personave të përfshirë në këtë vepër.

Projektligji kundërshtohet edhe nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare, të cilët e vlerësojnë si të motivuar politikisht, por edhe si “hapje të dyerve të burgjeve për kriminelët”.

(Isuf Kadriu, REL)