Nga Kozeta Këze Zylo
Shoqata e mirënjohur “Ana e Malit” ditën e diel, më 27 prill në muajin pranveror ku pemët dekorative sjellin një parajsë të vërtetë me lule shumëngjyrëshe inaguroi Qendrën Kulturore Shqiptare në Staten Island. Ka qenë një ëndërr e kahershme ndër vite që këta bij dhe bija të Anës së Malit të kishin një qendër të tyre ku të mblidheshin dhe të kuvendonin si motra dhe vëllezër së bashku. Dhe ja më në fund ia arritën e realizuan këtë punë nga më të bukurat dhe me atdhetaret. Ata ngritën një këmbë mali si malet e Shqipërisë këtu në ishullin e bukur në Staten Island.
Kemi preferuar me përulje si media të ndjekim gjithë aktivitetet e tyre më shumë se 20 vjet dhe t’i pasqyrojmë në Gazeta dhe në kanalet televizive, ato janë një arshivë e gjallë e historisë në Diasporë.
Pjesëmarrësit grupe grupe vinin dhe zinin vendet përpara godinës së pastër, te bukur ku në krye qëndronte si kurorë emri i godinës dhe logoja e Anës së Malit. Çfarë krenarie tek shikoje të zotët e shtëpisë kryetarin e shoqatës z. Albert Salaj, ish kryetarin z. Safet Llolla, zonjen Melinda Gjeloshi dhe anëtaren e kryesisë znj. Ajete Cuca që të mirëprisnin të gëzuar dhe plot dashuri për këtë ditë të madhe. Më duhet të them se kjo qendër kulturore ndërtohet për herë të parë në historinë e Diasporës Shqiptaro Amerikane në New York dhe kjo ndodhi nga Ana e Malit. Kjo u realizua sepse gjithëkush që i thotë vehtes shqiptar s’i harron kurrë rrënjët e tij dhe veç për atë tokë mendon siç thotë Ndre Mjeda: “Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera/ ku e shkoj jetën tash sa mot/ veç për ty m’rreh zemra e mjera/ e prej mallit derdhi lot”.
Skena e ngritur enkas për të realizuar programin artistik dhe kulturor ishte tejet e përshtatshme. Dhe ja moderatori i kësaj dite të madhe artisti i shquar Bledar Maqellara falënderoi të gjithë të pranishmit dhe me plot kulturë, talent dhe profesionalizëm drejtoi gjithë programin. Ai ftoi në skenë punonjësit e polisicë së NY-ut, “NYPD Illyrian Society of Law Enforcement Officers” Albanian American Organization of sworn law enforcement officers in the US. Ata e përkushtojnë jetën e tyre për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer komuniteteve tona.
Ardhja e tyre u shoqërua me duartrokitje të nxehta.
Artistja e shquar Dëshira Ahmeti Kërliu intepretoi Himnin Kombëtar Amerikan dhe Shqiptar. Ajo ka punuar në Teatrin Kombëtar të Operës në Tiranë, gjithashtu është e punësuar si e vetmja shqiptare në Teatrin e Maqedonisë, në Shkup.
Ajo ka luajtur në skena prestigjioze, Amerikë dhe në Europë, dhe në ngjarje të mëdha të Atdheut.
Kryetari i Shoqates Ana e Malit z. Albert Salaj i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme për të realizuar këtë projekt madhështor falënderoi të gjithë të pranishmit dhe kontribuesit kryesor që ndihmuan në marrjen e godinës. Ai premtoi se do të punoj më shumë dhe iu tha të pranishmëve se kjo shtëpi është e të gjithë shqiptarëve, çka flet për gjenerozitetin e anamalasve dhe atdhetarizmin e tyre.
Ish kryetari i shoqatës z. Safet Llolla përshëndeti pjesëmarrësit dhe falënderoi pamasë të gjithë vullnetarët, kryesinë, emra donataorësh që bënë të mundur që ne të mblidheshim krenar në këtë godinë të bukur dhe komode. Ai foli për përpjekjet e shumta dhe përkushtimin e madh të anamalasve për të realizuar ëndrrën e tyre.
Si gjithmonë mjaft impresionuese ishte fjala e Imam Edin Gjonit i cili me një elekuencë brilante bekoi dhe uroi të gjithë të pranishmit dhe anamalasit për këtë punë të vyer, të dashur, atdhetare dhe të Zotit. Ai solli dhe përshëndetjen e Dom Pjetë Popaj dhe urimin e tij për hapjen e qendrës kulturore atdhetare.
Një atmosferë festive dhe tejet të bukur sollën grupet si Barbana me vallen e Shotës, me koreografi nga Sebastian Tinaj, vallen e bilbilit, Peshkatari etj. Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” u paraqitën me dy valle si Vallja e Çamërisë dhe vallja e Flamurit të përgatitura nga mësueset profesioniste dhe të talentuara Entela Muda dhe Elona Shkreta.
Z. Xheladin Zeneli ish kryetar i shoqatës dhe aktivist i palodhur i falënderoi të gjithë të pranishmit dhe uroi që këtë shtëpi ta mbajmë fort për punë të Kombit dhe vetëm në të mirë çështjes kombëtare.
Përshëndeti denjësisht znj.Melinda Gjeloshi ish sekretare e Bordit të Shoqatës, ajo u ndal në punet e shumta dhe bashkëpunimin me njeri tjetrin për të arritur në këtë ditë madhështore. Ne sot jemi mbledhur së bashku jo vetëm të festojmë marrjen e godinës, por të nderojmë dhe çmojmë vizionin, ëndrrën ushqyese dhe frymëzuesse. Kjo qendër është testamenti i forcës së komunitetit, shpirtit të paepur, bashkëpunimit dhe dua të falënderoj secilin nga ju që mori këtë rol të rëndësishëm në ndërtimin e kësaj pune madhështore. Ajo përmendi me plot respekt të gjithë kryetarët e shoqatave në të kaluarën si Safet Llolla, Emmie Selaj, Ismet Kurti, Naser Çoba, Osman Kallaba dhe Xheladin Zeneli.
Autorja e shkrimit Kozeta Zylo uroi gjithë pjesëmarrësit Anamalasit, z. Salaj, Llolla dhe gjithë kryetarët që së bashku me ekipet e tyre kanë ndihmuar për këtë ditë të madhe. Shoqata Ana e Malit bëri histori në Diasporë dhe natyrisht ne ndihemi shumë krenar me këtë realizim të ëndrrës së tyre të kahershme.
Në inagurimin e qendrës kulturore nderuan me pjesëmarrjen e tyre dhe përshëndetën si Vito Fosella President i Staten Island, Kongresistja Nicole Malliotakis e cila kishte sjellë përfaqësuesen e saj, Keshilltari David Carr, Senatore Jessicc Scarcella-Spanson, Presidenti i Shoqatës së Avokatëve, përfaqësuesëve ligjor të shtetit të Nju Jorkut, Ish Kongresisti Amerikan Mr. Michael McMahon, Këshilltare Kamillah Hanks dhe Ansambleisti Sam Pirozzolo, gjykatesja Edita Shkreli. Të gjithë të ftuarit falënderuan Shoqatën “Ana e Malit” për këtë punë kolosale si dhe shprehën mirënjohjen e tyre për z. Naser Nika si një aktivist i palodhur në Komunitet.
Anamalasit bën histori në Diasporë në saje të punës, vullnetit dhe dashurisë për Atdheun
ndaj me të drejtë thuhet se: “Ana e Malit është mbajtur gjallë se ka punuar, është mbajtur në këmbë se ka luftuar”.
Së shpejti TV “Alba Life” do te të transmetojë në kanalet televizive kronikën e përgatitur dhe filmuar nga kameramanët profesionistë Agron Ceka dhe Aaron Suka dhe producent Qemal Zylo.
27 Prill, 2025
Staten Island, New York















