Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Zbatuesve të Ligjit (Albanian American Law Enforcement Association – AALEA) konfirmohet përsëri si organizata profesionale më e rëndësishme dhe aktive në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Në datën 12 korrik, AALEA organizoi një mbrëmje ekskluzive ku morën pjesë zyrtarët më të lartë të policisë dhe institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit.
Në veprimtarinë ekskluzive në Nju Xhersi, AALEA nderoi me një vlerësim tre figura të rëndësishme të fushës: Zëvendës Komisionerin e Parë në Policinë e Nju Jorkut z. Edward Caban; Shefin e Iniciativave Strategjike në Policinë e Nju Jorkut z. Isa Abbassi; dhe Kapelanin e Policisë së Nju Jorkut Imzot Robert Romano.
Çmimi i dhënë ndaj këtyre personaliteteve të jashtëzakonshme ishtë një shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për përkushtimin vetëmohues dhe përpjekjet e palodhura të tyre për të mbrojtur komunitetin e gjerë, por dhe për marrëdhënien e veçantë dhe miqësinë e tyre me komunitetin shqiptar në Nju Jork. Të ftuarit e nderit falenderuan AALEA për kontributin e organizatës në ndërtimin e urave të bashkëpunimit, si dhe shprehën vlerësimin maksimal për profesionalizmin, përkushtimin dhe patriotizmin e komunitetit shqiptaro-amerikan.
Është për t’u theksuar interesi i madh për këtë event, sikurse shfaqet dhe nga prania e personaliteteve të ndryshme amerikane dhe zyrtarëve lokalë. Në fakt, në mbrëmje ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Cliffside Park Thomas Calabrese, Kryetari i Policisë së Cliffside Park Marc Marano,
Zvendes kryetari I sindkates se Detectivave te Nju Jorkut Paul E. Morrison përfaqësues të trupave shtetërore nga Nju Jorku dhe Nju Xhersi, si dhe drejtues të tjerë të lartë të policisë Federale së Nju Xhersit.
Një tjetër personalitet i pranishëm ishte z. Munr Kazmir, Zëvëndës Presidenti i Kongresit Hebre Amerikan, një prej organizatave më të vjetra, më përfaqësuese dhe më të rëndësishme të komunitetit hebre në Shtetet e Bashkuara.
Fjalën përshëndetëse të mbrëmjes e mbajtën Rreshtere Victoria Kusick dhe Kryetari i AALEA z. Elton Shametaj. Në fjalën e tj, z. Shametaj theksoi punën e jashtëzakonshme që po realizon organizata në konsolidimin e komunitetit shqiptar dhe në ndërtimin e lidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata me elitën amerikane në fushën e zbatimit të ligjit. Në këtë mënyrë, ajo është shndërruar në një motor i fuqishëm integrimi për shqiptaro-amerikanët, por edhe për promovimin e lidhjeve të ngushta të institucioneve amerikane me institucionet homologe në Shqipëri e Kosovë. Së shpejti, AALEA do të organizojë dhe vizitën e një delegacioni të nivelit të lartë të zyrtarëve amerikanë në Tiranë dhe në Prishtinë.
Në mënyrë të vazhdueshme, komuniteti shqiptar i zbatuesve të ligjit po konfirmohet si komuniteti profesional më i konsoliduar brenda komuniteti të gjerë shqiptaro-amerikan. Në muajt në vijim, AALEA ka planifikuar dhe një sërë aktivitetesh të tjera të rëndësishme.
Zyra e shtypit
Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Zbatuesve të Ligjit (AALEA)