Shoqata “Skënderbej” festoi me madhështi përjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në New York

Nga Keze Kozeta Zylo

Në mjediset e qendrës “BrightSide” me pronar z. Isham Hadidi Astoria Queens, Shoqata Shqiptaro Amerikane Skenderbej Inc. nën drejtimin e bordit me President z.Mark Qehaja dhe kryetar të Bordit ekzekutiv inxh. Gëzim Lamçaj organizuan një drekë madhështore për të festuar 16-të Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Bordi i drejtorëve si z.Bashkim Shehu, z.Faton Zogiani bashkë me kryesinë me anëtarë plot kulturë dhe integrim si: Doris Zefi, Edmond Kortoçi, Enes Basha, Pjetër Vatnikaj, Diar Xani punuan së bashku në organizimin e këtij aktiviteti.  Muaji shkurt është muaji i Kosovës këtu në New York, pasi festohet kudo plot dashuri dhe respekt.

Në një ditë të dielltë si vetë Liria e Kosovës anëtarë të shoqatës, bordi, kryesia, dashamirës të shumtë u mblodhën së bashku si motra dhe vëllezër për të festuar Ditën e Shenjtë të Pavarësisësë s ë Kosovës. Në hyrje të sallës të mirëprisnin anëtarët e rinj dhe plot vitalitet si Doris Zefi, Enes Basha dhe Edmond Kortoçi. 

Në këtë aktivitet atdhetar nderuan me pjesëmarrjen dhe përshëndetjet e tyre si Konsulli i Pergjithshëm i Republikës së Kosovës në NY, Ambasador Blerim Reka si dhe Konsullja e Republikës së Shqipërisë znj.Valentina Loka.

Midis pjesëmarrësve kishte ish luftëtarë, drejtues e familjarë të heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ftuar të tjerë me kontribute të spikatura në Shqipëri, Kosovë dhe në komunitetin Shqiptare në New York,

Cermonia u hap me ekzekutimin e Himnit Kombëtar të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Fjala e hapjes u mbajt nga Kryetari i Bordit Ekzekutiv inxh. Gezim Lamçaj i cili  falënderoi të pranishmit për këtë pjesësmarrje të gjerë e shumë dinjitoze në një aktivitet të tillë që përkujton ngjarjen e rëndësishme historike, Pavarësinë e Kosovës.

Në fjalën përshëndetëse z.Mark Qehaja President i Bordit të Drejtorëve u përqëndrua shkurtimisht në luftrat e shqiptarëve gjatë historise për Liri, rolin e arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova, të Komandantit legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrise Çlirimtare të Kosovës, rolit përcaktues në shpalljen e Pavaësise se Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetjes së vendeve më të fuqishme perëndimore, të ambasadorit William Walker që lëshoi kushtrimin në mbarë botën e civilizuar për krimet kundër njerëzimit e gjenocidin serb kundër popullsisë së pafajshme në Kosovë.

Me ndërhyrjen ushtarake të NATOs iu dha fund pushtimit barbar serb të Millosheviqit.

Nderim për jetë Presidentit Xhorxh W Bush e Bill Klinton e të gjithë atyre që kontribuan dhe u flijuan për lirinë e Kosovës.

Aktiviteti u moderua nga studentja e shkëlqyer dhe simpatike në Washington Kendra Duli anëtare e stafit të TV “Alba Life”, NY.

Ajo tha se: “Në këtë ditë të shënuar 16 vite me parë në të gjitha vendet ku kishte Shqiptari pati gëzim dhe hare, sepse më në fund Kosova shpalli Pavarësinë. Sot ne jemi mbledhur po njësoj si shqiptarët atëhere me po të njëtin zjarr dhe dashuri. Shihni rrotull jush sa shumë bashkatdhetarë janë këtu në mesin tonë! Muaji i Dardanisë tonë festohet nga Shqiparët kudo!

Ajo u ndal dhe në rolin e të rinjve duke përmendur dhe organizimin e studentëve në Washington DC në eventin e organizuar me Ambasadorin e Kosovës z.Ilir Drugolli dhe Ambasadorin e Shqipërise z.Ervin Bushati në kuadër të ditës së Pavarësisë së Kosovës me qëllim, zhvillimin e një diskutimi të hapur ne lidhje me rrugëtimin e Kosovës dhe të Shqiperisë drejt antarësimit në BE.   

Ambasadori Dr. Blerim Reka me një elekuencë në të folur midis të tjerash foli për rëndësinë që ka çështja e Kosovës si një faktor shumë i rëndësishmë për paqen  dhe stabilitetin  në rajon. Ai përmendi rëndësinë e pasdiskutueshme të SHBA- ve në rrugëtimin e shtetformimit të Kosovës.  Konsullja e Shqipërisë ne NY, znj.Valentina Loka u foli per rëndësine e bashkëpunimit midis komuitetit dhe institucioneve si  një vlerë e shtuar e diasporës shqiptare jo vetëm ne SHBA, por dhe në vendet e tjera ku ka shqiptarë.     

Me shumë emocion u mirëprit përshëdetja me video nga znj. Shukrie Ramadani bashkëshortja fisnike, trimëresha e Kosovës dhe e Heroit Agim Ramadani.  Nga Kosova përshëndeti gjithashtu Kolonel Feriz Trezhjeva i cili foli mbi kontributin e formacioneve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës që ai drejtonte,

Kolonel Trezhnjeva shërbeu me përkushtim në institucionet e larta të shtetit të Kosovës si këshilltar i mbrojtjes e sigurisë të Ministrit Mbrojtjes se Kosovës.

Me plot dashuri dhe respekt përshëndeti Doktori i Shkencave mjekësore në Kosovë z.Nazim Qehaja i cili njihet si një atdhetar i flaktë për ngritjen e qendrave shëndetësore për t’u ardhur në ndihmë ushtarëve gjatë luftës për Çlirimin e Kosovës .

Një buqetë me lule të bukura iu dhurua mikes së dashur Vera Qehaja nga David Bronson, një artist amerikan qe mori pjesë plot respekt dhe dashuri në festimin e 16-të Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Duke marrë aromën e luleve, I gëzohesha integrimit të saj në Amerikë që së bashku me Markun dhe fëmijët e mrekullueshëm, studentë të shkëlqyer kanë qenë tëangazhuar në mbarëvajtjen e shoqatës. 

Dy artistë të shquar si z. Shaban Lajçi dhe Tom Gjergji interpretuan për Kosovën duke performuar profesionalisht dhe artistikisht.  Z. Isa Breçani anëtar i Shoqatës performoi artistikisht vargje atdhetare dhe patriotike për Kombin.

Autorja e shkrimit dhe Anëtare Nderi e shoqatës pati kënaqesi të interpretonte për publikun poezinë të krijuar në Ditën e Pavarësisë së Kosovës me titull: “Tungjatjeta Kosovë”. Njëkohesisht u ndal për Heroin legjendar të Kosovës Adem Jasharin dhe familjes e tij kombëtare si dhe rolin e të rinjve në shoqatë, premtimin e tyre për të ardhmen.

Z. Faton Zogiani, anëtar i bordit të drejtorëve ftoi të pranishmit për të marrë pjesë në dokumentarin që u shfaq në Manhattan për Yllin e kinemasë botërore, artistin nga Kosova, Bekim Fehmiun që u organizua nën kujdesin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane Skënderbej Inc. në New York dhe TV “Alba Life”, artistëve Diar Xani dhe Arens Leka.

Gjallëri, emocion dhe hare sollën nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx, degë e familjes së madhe “Alba Life” që ka një konsolidim profesional, atdhetar dhe shumë të përkushtuar.  Ata intepretuan vallen e Rugovës nën kujdesin e asistenteve Edona Gjidiaj, Erlinda Shala dhe Kaltrina Gecaj.  Ato intepretojnë sikur të jenë valltare të Ansamblit shtetëror. Nga Shkolla Shqipe “Alba Life” nderonin dy mësuese të shkollës si Mehrije Shala dhe Rozeta Hyseni të cilat kishin ardhur me bashkëshortët e tyre fisnikë. Kaltrina Gecaj intepretoi plot dashuri këngën hymn: “Çohu Adem Jashari!

Nxënësja e shkëlqyer Eliona Shala dhe shumë e talentuar interpretoi këngën e bukur “Lulja e Dukagjinit”.  

Aktiviteti u filmua nga Z.Qemal Zylo, themelues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në New York.  Aktiviteti po transmetohet në kanalet televizive.

Pas kumtesave pjesëmarrësit patën një drekë festive për Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe u argëtuan nën tingujt e DJ Hermes.  

Rroftë Kosova!  Rroftë Shqipëria etnike!  

Autorja e shkrimit është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

21 shkurt 2024

New York